
Trossard i jep fitoren Arsenalit ndaj Fulhamit, rikthen “Topçinjtë” në krye të Premier League
Arsenal është rikthyer në krye të Premier League pas një fitoreje të vështirë 1–0 ndaj Fulhamit në “Craven Cottage”, duke i dhënë fund serisë katër ndeshjeve radhazi pa humbje të vendasve në shtëpi.
Skuadra e Mikel Artetës kërkonte të përgjigjej pas fitores së Manchester City-t më herët gjatë ditës, dhe pas një pjese të parë të luftuar, arriti të gjejë golin vendimtar në minutat e dyta të pjesës së dytë.
Fulham e nisi më mirë takimin me raste përmes Tom Cairney dhe Harry Wilson, ndërsa në anën tjetër një goditje e fuqishme e Riccardo Calafiorit u anulua për pozicion jashtë loje.
Në pjesën e dytë, Leandro Trossard ishte heroi i Arsenalit. Pas një goditjeje këndi të Bukayo Saka-s, topi u devijua nga Gabriel Magalhães dhe përfundoi te Trossard, i cili nga afër shënoi golin e vetëm të ndeshjes. Ky ishte golashënuesi i 10-të i ndryshëm i Arsenalit në këtë sezon të Premier League, një statistikë që tregon forcën kolektive të skuadrës londineze.
Në minutat e fundit pati dramë kur gjyqtari Anthony Taylor akordoi fillimisht penallti për Arsenal-in pas një ndërhyrjeje të Kevin Mbabu ndaj Saka-s, por vendimi u anulua pas rishikimit të VAR-it.
“Topçinjtë” administruan me kujdes avantazhin deri në fund, duke regjistruar vetëm një humbje në 18 ndeshjet e fundit jashtë fushe (10 fitore, 7 barazime). Me këtë fitore, Arsenal ngjitet përkohësisht në vendin e parë, ndërsa Liverpooli mund të afrohet sërish me një fitore ndaj Manchester Unitedit.
Ndërkohë, Fulham pëson humbjen e tretë radhazi në kampionat dhe zbret në vendin e 14-të të renditjes, duke vazhduar krizën e rezultateve. /Rekordi.net


