Mes dhimbjes dhe reflektimit, SHBA shënon 25-vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit

Mes dhimbjes dhe reflektimit, SHBA shënon 25-vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shënuar të premten 25-vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit 2001, në të cilat u vranë afro 3.000 persona.

Në Nju Jork, familjarët e viktimave, shumë prej tyre me fotografi të të afërmve të humbur, u mblodhën në Ground Zero, së bashku me nënpresidentin JD Vance dhe katër ish-presidentë të Shteteve të Bashkuara.

Ceremonia nisi në orën 08:46 sipas kohës lokale, me një minutë heshtje për momentin kur fluturimi 11 i American Airlines goditi Kullën Veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë.

Familjarët nisën më pas leximin e emrave të 2.977 personave që humbën jetën më 11 shtator, si dhe të gjashtë personave të vrarë në bombardimin e Qendrës Botërore të Tregtisë në vitin 1993.

Momente të tjera heshtjeje u mbajtën për kohën kur avionët e tjerë u rrëzuan dhe kur dy kullat u shembën.

Për herë të parë, u parashikua edhe një moment i shtatë heshtjeje për mijëra personat që kanë vdekur që nga viti 2001 nga sëmundje të lidhura me pluhurin toksik pas sulmeve.

Në Pentagon, presidenti Donald Trump përmendi disa prej viktimave të fluturimit 77 të American Airlines, i cili goditi ndërtesën dhe la të vrarë 184 persona.

Në Shanksville të Pensilvanisë u mbajtën homazhe edhe në vendin ku u rrëzua fluturimi 93 i United Airlines.

Sulmet e 11 shtatorit ndikuan në politikën e jashtme dhe të brendshme të SHBA-së dhe nisën “luftën kundër terrorizmit”, që çoi në pushtimet amerikane të Afganistanit dhe Irakut.

Reuters raporton se Departamenti i Zjarrfikësve të Nju Jorkut humbi 343 pjesëtarë më 11 shtator, ndërsa më shumë se 600 zjarrfikës të tjerë kanë vdekur që atëherë nga sëmundje të lidhura me sulmet.

Vetëm këtë vit kanë vdekur 26. / Burimi: Reuters/rtk

Share This