
Man City nuk e thyen dot Sunderlandin e Xhakës
Manchester City nuk ka arritur të gjejë rrugën e fitores ndaj Sunderlandit të Granit Xhakës, në një ndeshje të luftuar dhe me raste të shumta, e cila u mbyll pa gola, 0-0.
Skuadra e Pep Guardiolës dominoi posedimin e topit dhe krijoi më shumë mundësi shënimi, por u ndal nga mungesa e konkretizimit dhe paraqitja e shkëlqyer e portierit kundërshtar.
City e nisi ndeshjen fuqishëm dhe arriti të shënojë që në minutën e 7-të përmes Bernardo Silvës, por goli u anulua për pozitë jashtë loje. Gjatë pjesës së parë, kampionët në fuqi ushtruan presion të vazhdueshëm, me raste nga Erling Haaland, Phil Foden dhe Rayan Cherki, por portieri Robin Roefs ishte vendimtar për Sunderlandin, duke mbajtur portën e paprekur.
Nga ana tjetër, Sunderland nuk u mbyll plotësisht dhe pati edhe momentet e veta në sulm. Brian Brobbey dhe Trai Hume testuan seriozisht Gianluigi Donnarummën, i cili reagoi në mënyrë spektakolare në disa raste, duke qenë një nga lojtarët më të dalluar të Manchester Cityt në këtë përballje.
Në pjesën e dytë, Guardiola reagoi me ndryshime, por edhe pse City vazhdoi të kërkonte golin, finalizimi sërish mungoi. Sunderland rezistoi me disiplinë dhe organizim deri në fund të takimit, pavarësisht lodhjes, duke siguruar një barazim të madh përballë një kundërshtari shumë të fortë.
Ndeshja u mbyll pas katër minutash shtesë pa ndryshim rezultati.
Ky barazim përbën një ndalesë zhgënjyese për Manchester Cityn, që mbetet në vendin e dytë me 41 pikë, ndërsa Sunderland renditet i shtati me 33 pikë.


