
Macron: Bisedime me autoritetet iraniane për të rihapur Ngushticën e Hormuzit
Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se pas vizitës së tij dyditore në Andorrë, do të bisedojë me autoritetet iraniane për të insistuar në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
“Ne kemi krijuar një koalicion që synon pikërisht të sigurojë sigurinë, të stabilizojë dhe të tregojë se komuniteti ndërkombëtar mbështet hapjen [e Ngushticës së Hormuzit].
Shpresoj se do të jemi në gjendje të bindim palët e interesuara në ditët në vijim,” tha Macron para gazetarëve në Andorrë.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot theksoi se Irani duhet të jetë gati të bëjë “koncesione të mëdha” në bisedimet për të zgjidhur krizën aktuale.
“Nuk mund të ketë zgjidhje të qëndrueshme për këtë krizë nëse regjimi iranian nuk pranon koncesione të mëdha dhe një ndryshim radikal të qëndrimit të tij,” deklaroi Barrot gjatë një seance të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ky zhvillim vjen në kontekstin e tensioneve në Lindjen e Mesme, ku Ngushtica e Hormuzit – rrugë jetike për transportin e naftës globale – është prekur nga kriza e fundit.
Franca po përpiqet të koordinojë përpjekje ndërkombëtare për të garantuar lirinë e navigimit sipas ligjit ndërkombëtar, pa përdorur forcë ushtarake. /rtsh/


