LVV dërgon në Kushtetuese dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit, kërkon pezullimin e tij

LVV dërgon në Kushtetuese dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit, kërkon pezullimin e tij

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, bëri të ditur se kërkesa është dorëzuar me 30 nënshkrime të deputetëve dhe se njëkohësisht është kërkuar edhe vendosja e një mase të përkohshme për pezullimin e dekretit deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës.

Sipas saj, bëhet fjalë për Dekretin nr. 24/2026 të datës 6 mars 2026, përmes të cilit presidentja ka vendosur shpërndarjen e Kuvendit.

“Sapo kemi dorëzuar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të Presidentes lidhur me shpërndarjen e Kuvendit. Njëkohësisht kemi kërkuar nga Gjykata vendosjen e një mase të përkohshme për pezullimin e këtij dekreti deri në nxjerrjen e aktgjykimit përfundimtar”, ka njoftuar Nagavci.

Ajo ka theksuar se, sipas LVV-së, presidentja nuk ka të drejtë diskrecionale për të ndërhyrë në funksionimin e pushtetit legjislativ, e aq më pak për të ndërmarrë veprime që çojnë në shpërndarjen e Kuvendit.

Nagavci ka theksuar se roli i presidentit në këtë proces është i kufizuar dhe aktivizohet vetëm në rrethanat e përcaktuara qartë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

“Çdo veprim jashtë këtyre kufijve përbën tejkalim të kompetencave kushtetuese dhe cenim serioz të parimit të ndarjes së pushteteve”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, në një shtet demokratik asnjë institucion apo zyrtar publik nuk mund të veprojë mbi Kushtetutën apo jashtë saj.

Nagavci ka shtuar se LVV pret që Gjykata Kushtetuese ta trajtojë këtë çështje me prioritet dhe të japë vendim sa më të shpejtë, në mënyrë që të shmanget, sipas saj, çdo cenim i mëtejmë i rendit kushtetues dhe i funksionimit demokratik të institucioneve.

Share This