Luftëtarët kurdë nga Iraku nisin ofensivë tokësore në Iran kundër regjimit

Luftëtarët kurdë nga Iraku nisin ofensivë tokësore në Iran kundër regjimit

Media izraelite “i24NEWS” ka deklaruar se një zyrtar i Koalicionit të Forcave Politike të Kurdistanit Iranian ka pranuar se mijëra luftëtarë kurdë kanë hyrë në territorin perëndimor të Iranit, duke nisur një ofensivë të armatosur kundër forcave të regjimit iranian. Sipas tij, operacioni ka filluar gjatë natës së 2 marsit dhe përfshin një mobilizim të gjerë në zonat malore pranë kufirit.

Burimi në fjalë, sipas medias izraelite, pretendon se luftëtarët janë të lidhur me Partia për Jetë të Lirë në Kurdistan (PJAK), një organizatë kurde që operon prej vitesh kundër autoriteteve iraniane. Sipas deklaratës, mijëra pjesëtarë të armatosur janë vendosur në disa pika strategjike, përfshirë zonat përreth qytetit të Mariwan, duke konsoliduar pozicione dhe duke u përgatitur për përballje të mundshme me forcat iraniane.

Zyrtari ka pohuar se qëllimi i ofensivës është përballja direkte me strukturat e sigurisë së regjimit iranian dhe zgjerimi i kontrollit në zona me popullsi kurde. Ai gjithashtu ka lënë të kuptohet se ekziston mundësia e koordinimit ose bashkëpunimit strategjik me aktorë ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, ndonëse për këto pretendime nuk ka pasur konfirmim zyrtar nga asnjë prej këtyre vendeve.

Në artikull theksohet se burimi e ka cilësuar situatën si një moment potencialisht historik për lëvizjen kurde në Iran, duke sugjeruar se zhvillimet e fundit mund të hapin rrugë për ndryshime më të gjera politike në rajon. Ai ka përmendur edhe idenë e krijimit të një entiteti kurd me rol strategjik në Lindjen e Mesme, megjithatë këto mbeten deklarata politike dhe jo zhvillime të konfirmuara në terren.

Deri tani, autoritetet iraniane nuk kanë dalë me një reagim zyrtar lidhur me këto pretendime. /rtsh/

Share This