
Luan Zhegrova, Juve fiton derbin ndaj Romës
Juventusi e ka mposhtur Romën, me rezultat 2-1, të shtunën në derbin e kësaj fundjavë në Serie A.
Torinezët, skuadër në të cilën nga minuta e 61-të u inkuadrua në lojë edhe ylli kosovar Edon Zhegrova, vazhdon serinë pozitive në duelet para tifozëve të saj.
Pjesa e parë e takimit ishte përgjithësisht e qetë, me pak raste të pastra shënimi nga të dyja skuadrat. Manuel Locatelli për Juventusin dhe Paulo Dybala për Romën provuan portat respektive në minutat e para, por pa rrezik serioz.
Rastet më të mira erdhën në fund të pjesës së parë, kur Francisco Conceiçao fillimisht u ndal nga portieri Mile Svilar, por në minutën e 44-të realizoi një gol të bukur me të majtën nga brenda zonës, duke i dhënë epërsinë Juventusit.
Në pjesën e dytë, bardhezinjtë dominuan dhe ushtruan presion të vazhdueshëm. Kenan Yıldız dhe Andrea Cambiaso ishin pranë golit, ndërsa në minutën e 70-të, Lois Openda dyfishoi epërsinë pas asistit të Weston McKennie, duke finalizuar një aksion të bukur ofensiv.
Roma u rikthye në lojë në minutën e 75-të, kur Tommaso Baldanzi shfrytëzoi një top të kthyer nga portieri pas goditjes së Evan Ferguson, duke ngushtuar rezultatin në 2-1. Në minutat e fundit, Juventusi ishte pranë golit të tretë, por goditja e Yıldız u ndal nga shtylla.
Pavarësisht disa momenteve të tensionuara në fund, Juventusi arriti ta ruajë epërsinë dhe të sigurojë tri pikë të merituara. Me këtë fitore, bardhezinjtë mbeten në vendin e pestë në renditje, por tashmë janë vetëm katër pikë larg liderit Inter.
Roma, ndërkohë, vazhdon të mbajë vendin e katërt dhe do të synojë rikthimin te fitorja në ndeshjen e radhës ndaj Genoas.


