
Trepça demolon Rahovecin 029, Prishtina mund Vëllaznimin
Kampionia e Kosovës në basketboll, Trepça, ka shënuar fitore bindëse në udhëtim ndaj Rahovecit 029, duke triumfuar me rezultat të thellë 110:57, në kuadër të javës së 13-të të Superligës së Kosovës në basketboll.
Nga fillimi e deri në fund të ndeshjes, mitrovicasit ishin skuadra dominuese, duke ndërtuar epërsinë gradualisht në çdo çerek dhe duke mos e vënë asnjëherë në dyshim fitoren. Çerekët u mbyllën me rezultatet: 11:32, 16:23, 11:24 dhe 19:24, për një triumf të merituar të kampionëve.
Te skuadra vendase u dallua Julian Roche, i cili e mbylli ndeshjen me 12 pikë dhe tetë kërcime, ndërsa te Trepça kontribut të madh dhanë pesë basketbollistë me pikë dyshifrore. Më i dalluari ishte Ja’cori Payne, i cili realizoi 20 pikë dhe katër kërcime.
Pas 13 ndeshjeve të zhvilluara, Rahoveci 029 ka një bilanc prej pesë fitoreve dhe tetë humbjeve, ndërsa Trepça vazhdon të kryesojë renditjen me dhjetë fitore dhe tri humbje, duke konfirmuar formën e shkëlqyer në këtë edicion.
Ndërkohë, fitore ka shënuar edhe Sigal Prishtina duke mundur Vëllaznimin, me rezultat 74-68.
“Plisat” u udhëhoqën nga paraqitja e shkëlqyer e Adrio Bailey, i cili realizoi 21 pikë, duke shtuar edhe 12 kërcime, për një paraqitje dominuese në parket.
Në anën tjetër, te skuadra mysafire u dallua Jericole Hellems, i cili ishte pikëshënuesi më i mirë i ndeshjes me 29 pikë, por që nuk mjaftuan për t’i shmangur humbjen Vëllaznimit.


