
Libri “Faleminderit NATO” synon ruajtjen e kujtesës kolektive
Vjen libri i ri “Faleminderit NATO” i shkrimtarit Riza Greiçevci. Libri synon të ruajë kujtesën kolektive për kontributin e forcave paqeruajtëse të NATO-s dhe të forcave çlirimtare të vendit në çlirimin e Kosovës, si dhe të dokumentojë dëshmitë që lidhen me procesin gjyqësor në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së.
Përmes fotografive dhe rrëfimeve të përfshira në libër, autori synon të sjellë në kujtesë rolin e forcave të NATO-s, të cilat në vitin 1999 ndërmorën fushatën ajrore kundër caqeve ushtarake serbo-jugosllave, me qëllim ndalimin e dhunës dhe mbrojtjen e popullsisë civile shqiptare në Kosovë.
“Nuk duhet ta harrojë as historia, as brezi i sotëm e as brezat që do të vijnë të mirën që na ka bërë NATO, e cila na ndihmoi të çlirohemi nga okupatori”, tha Riza Greiçevci, shkrimtar
Edhe në kohë paqeje, roli i NATO-s mbetet i rëndësishëm. Sipas Greiçevcit, Aleanca ka dhënë kontribut edhe në proceset që lidhen me vendosjen e drejtësisë.
“NATO ishte dëshmitare e lirisë së një populli. Ajo erdhi, dëshmoi dhe tregoi të vërtetën se UÇK-ja nuk ishte organizatë kriminale, por forcë çlirimtare”, tha ai.
Në librin “Faleminderit NATO”, Greiçevci thekson se një nga vlerat më të mëdha të Kosovës është miqësia me NATO-n dhe sakrifica e atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit. /rtk/

