Lavrov në OKB: Rusia s’ka synim të sulmojë Evropën dhe NATO-n, por do t’i përgjigjet çdo agresioni

Lavrov në OKB: Rusia s’ka synim të sulmojë Evropën dhe NATO-n, por do t’i përgjigjet çdo agresioni

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov ka deklaruar në OKB se Rusia nuk ka asnjë qëllim për të sulmuar Evropën ose vendet e NATO-s, por ka paralajmëruar se çdo agresion kundër vendit të tij “do të përballet me një përgjigje të vendosur”.

Këto komente vijnë në një kohë kur fluturime të paautorizuara në hapësirën ajrore të NATO-s, të cilat dyshohet se lidhen me Rusinë, kanë ngritur alarmin në Evropë, veçanërisht pas rrëzimit të dronëve nga avionët e NATO-s mbi Poloni dhe pretendimeve të Estonisë për shkelje të hapësirës ajrore nga avionë luftarakë rusë.

Në fjalimin e tij, Lavrov hodhi poshtë akuzat se avionët rusë hynë në hapësirën ajrore të Estonisë dhe mohoi që dronët kishin për qëllim Poloninë.

Sipas Moskës dhe aleatit të saj, Bjellorusisë, këto dronë u devijuan nga kursi për shkak të ndërhyrjeve të sinjalit nga Ukraina.

Në vend të kësaj, Lavrov insistoi se është Rusia ajo që po përballet me kërcënime.

Rusia nuk ka pasur kurrë dhe nuk ka ndonjë synim të tillë për të sulmuar vendet evropiane apo të NATO-s,” tha ai, duke shtuar se çdo akt agresioni ndaj Rusisë do të ketë pasoja të forta.

Këto deklarata u bënë në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, tre vjet pas pushtimit rus të Ukrainës, i cili është dënuar gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar.

Ndërkohë, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shprehur një ndryshim të dukshëm në qëndrim, duke thënë këtë javë se beson që Ukraina mund të rimarrë të gjitha territoret e humbura nga Rusia.

Kjo deklaratë shënon një kthesë nga qëndrimet e tij të mëparshme, ku sugjeronte se Ukraina mund të duhej të bënte lëshime dhe se rikthimi i plotë i territoreve, përfshirë Krimenë e aneksuar në 2014 dhe zonat e pushtuara që nga pushtimi i plotë në 2022, mund të mos ishte i mundur. /rtsh/

Share This