
Kurti: Nuk jemi prishur me Amerikën, por kemi disa dallime
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka folur të premten në mbledhjen e qeverisë rreth marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se ndonëse ka dallime, nuk ka një prishje të raporteve.
Kurti u shpreh se qeveria e tij i trajton seriozisht deklaratat dhe qëndrimet e Ambasadës Amerikane. Ai sqaroi se “pezullimi i fundit i referohet vetëm planifikimit për dialog strategjik, dhe jo dialogut strategjik si proces i nisur, apo komunikimit të rregullt që qeveria e tij mban me SHBA-në”.
Kryeministri shtoi se, pavarësisht se opozita po i zmadhon këto zhvillime në dritë negative, qeveria mbetet e angazhuar për partneritet me Shtetet e Bashkuara në tre fusha kryesore: diplomaci, mbrojtje dhe zhvillim, raporton RTSH.


