Estonia kërkon konsultime me NATO-n sipas Nenit 4 pas shkeljes së hapësirës ajrore nga avionët rusë

Estonia kërkon konsultime me NATO-n sipas Nenit 4 pas shkeljes së hapësirës ajrore nga avionët rusë

Qeveria estoneze ka njoftuar kërkesën për konsultime me aleatët e saj të NATO-s sipas Nenit 4 të Aleancës, pas një incidenti të rëndë ku tre avionë luftarakë rusë MiG-31 shkelën hapësirën ajrore të vendit. Ky veprim vjen pas një serie incidentesh të ngjashme, që sipas Talinit tregojnë një “paturpësi të paparë” nga ana e Kremlinit.

Në incidentin e fundit, tre avionë rusë fluturuan mbi Gjirin e Finlandës, me radiot e fikura dhe pa autorizim, duke qëndruar në hapësirën ajrore estoneze për plot 12 minuta. Si përgjigje, dy avionë italianë F-35, të angazhuar në misionin e mbikëqyrjes ajrore të NATO-s, u ngritën menjëherë nga baza ajrore e Amari dhe i detyruan avionët rusë të largoheshin.

Reagimet ndërkombëtare dhe përshkallëzimi i tensioneve

Ky nuk është incidenti i parë i këtij lloji. Ministria e Jashtme estoneze theksoi se kjo është shkelja e katërt e hapësirës ajrore të vendit këtë vit. Incidenti i sotëm, së bashku me shkeljet e fundit të hapësirës ajrore në Rumani dhe Poloni, tregon një përshpejtim të rrezikshëm të provokimeve nga ana e Rusisë.

Reagimet nga udhëheqësit evropianë ishin të menjëhershme dhe të ashpra. Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se “ne do t’u përgjigjemi provokimeve” dhe kërkoi miratimin e shpejtë të paketës së 19-të të sanksioneve ndaj Rusisë. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, vlerësoi se “Rusia po teston se sa larg mund të shkojë” dhe theksoi rëndësinë e një përgjigjeje kolektive.

Forcimi i mbrojtjes dhe qëndrimi i Aleancës

NATO e cilësoi incidentin si “një shembull tjetër i sjelljes së pamatur të Rusisë” dhe njoftoi nisjen e Operacionit Sentinel East për të forcuar patrullimin e krahut lindor të Aleancës. Në këtë operacion kanë kontribuar tashmë Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Danimarka dhe Spanja, me këtë të fundit që ka dërguar tre avionë Eurofighter dhe një sistem radari të avancuar.

Ekspertët ndërkombëtarë paralajmërojnë se provokimet ruse do të vazhdojnë nëse nuk përballen me një përgjigje të fortë. Kreu i inteligjencës britanike, Richard Moore, theksoi se Putini nuk ka interes për paqe të negociuar, por kërkon të “imponojë vullnetin e tij perandorak me të gjitha mjetet në dispozicion”.

Kërkesa e Estonisë për konsultime sipas Nenit 4, i cili parashikon takime të vendeve anëtare nëse njëra prej tyre ndihet e kërcënuar, tregon seriozitetin e situatës dhe vendosmërinë e Aleancës për të mbrojtur hapësirën e saj të përbashkët. /rtsh/

Share This