Kurti: Javën e ardhshme presim draftin e strategjisë për Specialen dhe projektligjin e ri

Kurti: Javën e ardhshme presim draftin e strategjisë për Specialen dhe projektligjin e ri

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë javës së ardhshme pritet të prezantohet drafti i parë i Strategjisë Shtetërore për Dhomat e Specializuara, si dhe drafti i një ligji të ri për këtë gjykatë.

Duke folur në Kuvendin e Kosovës, rreth rishqyrtimit të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të kthyer nga presidentja, Kurti ka thënë se qëndrimi i tij ndaj Gjykatës Speciale nuk ka ndryshuar që nga viti 2015.

Ai e ka cilësuar këtë gjykatë si të pazakonshme, me elemente të gjykatës vendore dhe tribunalit ndërkombëtar, ndërsa ka shprehur kritika për mënyrën e funksionimit të saj.

“Unë si kryeministër i Republikës së Kosovës dhe si kryetar i subjektit politik fitues të zgjedhjeve të fundit, nuk kam ndryshuar fare qëndrim për Dhomat e Specializuara apo Gjykatën Speciale, siç njihet ndryshe, nga pranvera e vitit 2015. Mendimi, qëndrimi im është i njëjtë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se pakënaqësia me aktgjykimin e 16 shtatorit 2026 ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka nxitur hartimin e shpejtë të ligjit që tashmë është kthyer për rishqyrtim.

Kurti ka përmendur dënimet me gjithsej 81 vjet burgim për katër ish-krerët e UÇK-së, duke vlerësuar se aktgjykimi përmban pasaktësi faktike dhe historike.

Sipas tij, edhe pse qëllimi i hartuesve të ligjit ka qenë i mirë, kjo nuk mjafton, pasi nevojitet një zgjidhje ligjore që do të ketë efekt në praktikë dhe që nuk do të rrëzohet më pas.

“Nuk dyshoj në qëllimin e mirë, por nuk mjafton qëllimi i mirë. Duhet të kemi sukses, duhet të dalim fitimtarë. Na duhet një ligj i cili nuk kthehet mbrapsht, nuk anulohet; një ligj i cili ka efekt në realitet, në praktikë më pastaj”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka bërë të ditur se grupi punues për Strategjinë Shtetërore për Dhomat e Specializuara pritet që javën e ardhshme ta prezantojë draftin e parë.

Ai ka theksuar se në këtë grup janë të përfaqësuara institucionet relevante dhe partitë politike parlamentare, ndërsa në punë janë përfshirë edhe ekspertë juridikë.

Kurti ka thënë se krahas strategjisë, pret që ekspertët të dorëzojnë edhe draftin e ri të ligjit për Dhomat e Specializuara, i cili më pas do të diskutohet dhe do të procedohet për miratim.

Sipas tij, përmbajtja e ligjit të ri duhet të hartohet me kujdes dhe të jetë në përputhje me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Kosovës.

“Ne e presim strategjinë në javën e ardhshme. Por, nga disa prej këtyre ekspertëve dhe ekspertë të tjerë, po dhe të tjerë që mund të kontribuojnë ndërkohë, presim gjithashtu që në javën e ardhshme të na sjellin draftin e ri të ligjit të Gjykatës për Dhomat e Specializuara, ashtu që përmbajtja të punohet me kujdes dhe ajo përmbajtje të vijë për diskutim dhe për miratim”, ka deklaruar ai.

Kurti ka shtuar se synimi është që përmes këtyre dokumenteve t’i kontribuohet drejtësisë, duke kritikuar qasjen e Gjykatës Speciale, të cilën e ka cilësuar si monoetnike dhe jo të baraspeshuar.

Gjatë fjalës së tij, Kurti është ndalur edhe te prejardhja e Gjykatës Speciale, duke përmendur raportimet për të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” dhe pretendimet për trafikim të organeve, të ngritura në Këshillin e Evropës në vitin 2008.

Ai ka përmendur delegatët Konstantin Kosachev nga Duma ruse dhe Milosh Aligrudiq nga Kuvendi i Serbisë, të cilët, sipas tij, e kishin ngritur këtë çështje.

Kurti ka thënë se hetimet nuk kishin gjetur prova për këto pretendime dhe se ato nuk ishin përfshirë në aktakuzën e Dhomave të Specializuara.

Ai është ndalur edhe te raporti i ish-prokurorit amerikan Clint Williamson, i publikuar në korrik të vitit 2014, duke thënë se pretendimet për krime kundër njerëzimit si pasojë e persekutimit sistematik të popullsisë civile nuk u përfshinë në përfundimet e aktgjykimit të 16 shtatorit.

Ndërkaq, si çështje që, sipas tij, duhet të trajtohet në procedurën e apelit, Kurti ka përmendur konceptin e ndërmarrjes së përbashkët kriminale, për të cilin ka thënë se krijon një narrativë alternative për historikun e UÇK-së dhe luftës çlirimtare.

Në fund të fjalës së tij, kryeministri është pajtuar me thirrjen e deputetit të PDK-së dhe ish-pjesëtarit të UÇK-së, Jakup Nura, për angazhim institucional dhe diplomatik lidhur me proceset në Hagë. /rtk/

Share This