
Kurti i reagon Vuçiqit: Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë, më e rëndë se ajo e Rusisë në Evropë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili premtoi 400 vende pune për serbët në Kosovë, duke e cilësuar këtë si ndërhyrje të qartë në zgjedhjet komunale të 12 tetorit.
Në mbledhjen e qeverisë të martën, Kurti tha se këto veprime përbëjnë ndërhyrje më të rëndë se ajo e Rusisë në Evropë, dhe janë një kërcënim për procesin demokratik dhe sovranitetin e Kosovës.
“Premtimet për vende pune, joshja përmes përfitimeve financiare, kushtëzimi dhe shantazhi me beneficione sociale, si dhe deklaratat e zyrtarëve shtetërorë të Serbisë – kjo është ndërhyrje e përsëritur në procesin zgjedhor në Kosovë,” – tha Kurti.
Ai gjithashtu u bëri thirrje institucioneve të Bashkimit Evropian që ta dënojnë këtë veprim të Beogradit dhe të sanksionojnë Serbinë për shkeljet ndaj parimeve të fqinjësisë së mirë.
“Misioni i BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 kishte evidentuar ndërhyrjet e Serbisë në procesin tonë zgjedhor. Serbia nuk ka pasur pasojë nga BE-ja dhe nuk po ndryshon sjellje. Kjo ndërhyrje aktuale në zgjedhjet në Kosovë është më e rëndë se ajo e Rusisë në Evropë,” – tha Kurti.
Kryeministri në detyrë theksoi se ndërhyrjet e tilla cenojnë demokracinë dhe sovranitetin e shtetit dhe kërkoi reagim të menjëhershëm ndërkombëtar.


