
Kryqi i Kuq kërkime në Gazë për mbetjet e pengjeve izraelite
Kryqi i Kuq po zhvillon kërkime në zonat e Gazës për të gjetur e mbetjet e pengjeve izraelite të cilat janë vrarë nga Hamasi.
Transmetuesi publik izraelit KAN tha se kërkimet zhvillohen në qytetin jugor Khan Younis dhe në lagjen Shejaiya të Gazës lindore, me miratim zyrtar nga udhëheqja politike e Izraelit.
Sipas marrëveshjes aktuale të armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor, Izraeli kontrollon të ashtuquajturën “vijë e verdhë”, ku ushtria e tij është tërhequr.
Kjo zonë përfshin rreth 50 për qind të territorit të Gazës, duke u shtrirë nga jugu i guvernatoratit të Gazës Veriore deri në periferi të Rafahut në jug, ndonëse nuk ka shenja kufitare fizike.
KAN, duke cituar burime izraelite të paidentifikuara tha se Hamasi duhet t’i dorëzojë Izraelit për ekzaminim çdo mbetje të dyshimtë.
Mediat raportojnë se Izraeli përgatitet të marrë mbetjet e pengjeve këtë mbrëmje, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Nga ana e Hamasit nuk ka reagime për këtë rast. Që nga fillimi i armëpushimit, Hamasi ka liruar 20 pengje izraelitë të gjallë dhe ka dorëzuar mbetjet e 19 nga 28 të pengjeve të vrarë, shumica izraelitë.
Izraeli pretendon se një nga trupat nuk përputhet me listën e pengjeve.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë raporton se Izraeli ka vrarë 211 palestinezë dhe ka plagosur 597 të tjerë që nga armëpushimi.
Izraeli e ka lidhur fillimin e negociatave për fazën e dytë të armëpushimit me dorëzimin e të gjitha mbetjeve të pengjeve të vrarë nga Hamasi, ndërsa Hamasi thotë se procesi kërkon kohë për shkak të shkatërrimeve masive në Gazë.
Faza e parë e marrëveshjes përfshin lirimin e pengjeve izraelitë në këmbim të gati 2,000 të burgosurve palestinezë, rindërtimi i Gazës dhe krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës pa Hamasin.
Që nga tetori 2023, Izraeli ka vrarë më shumë se 68,800 njerëz (shumica gra dhe fëmijë) dhe ka plagosur mbi 170,600 të tjerë në Gazë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë. /rtsh/


