Kryeziu: Opozita e pafuqishme dhe e kurthuar nga veprimet e Vetëvendosjes

Kryeziu: Opozita e pafuqishme dhe e kurthuar nga veprimet e Vetëvendosjes

Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka kritikuar ashpër partitë opozitare në Kosovë, duke i quajtur ato “të paguximshme” dhe “të kurthuar” nga veprimet politike të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në një postim në Facebook, Kryeziu ka theksuar se opozita tash e pesë vjet është futur në terrenin dhe shërbimin e politikave të pushtetit, duke përmendur si shembull edhe bllokimin e zgjedhjes së nënkryetarit serb të Kuvendit.

“Opozitë e pafuqishme, pa guxim dhe pa vizion nuk është e kurthuar vetëm sot nga veprimet e LV-së, por tash e pesë vite është futur në terrenin dhe shërbimin e politikave të saj,” ka shkruar ai.

Sipas Kryeziut, zgjidhja e vetme për të shmangur bllokadën institucionale është votimi i nënkryetarit të Kuvendit nga lista serbe.

“Çdo veprim tjetër nuk është as mbrojtje e interesave të qytetarëve e as qëndrim politik. Përkundrazi, është e kundërta e asaj që do duhej të bëjë një parti politike opozitare. Kjo sjellje do të penalizojë jo vetëm partitë, por edhe secilin qytetar të vendit, përmes papërgjegjësisë dhe politikave përçarëse që minojnë çdo vlerë demokratike,” ka shtuar ai.

Kryeziu paralajmëroi se pasoja të tilla nuk janë barrë që qytetarët duhet ta mbajnë për shkak të mungesës së përgjegjësisë politike të partive opozitare.

Share This