
Kryeministri i Autoritetit Palestinez thirrje Hamasit: Liro pengjet dhe hiq dorë nga kontrolli i Gazës
Kryeministri i Autoritetit Palestinez Muhamed Mustafa ka bërë thirrje Hamasit që të lirojë të gjitha pengjet dhe t’i japë fund kontrollit të tij mbi Gazën dhe t’i transferojë armatimin Autoritetit Palestinez.
Mustafa e bëri këtë deklaratë gjatë fjalës në një konferencë të Kombeve të Bashkuara që synon promovimin e një zgjidhjeje me dy-shtete të konfliktit izraelito-palestinez.
Mustafa shtoi se Autoriteti Palestinez është i gatshëm të mirëpresë dhe koordinojë me një forcë të vendeve arabe që do të ndihmojë në stabilizimin e Gazës pas luftës.
Ndërsa Izraeli ka shprehur miratimin për ndihmë nga vendet arabe si Emiratet e Bashkuara Arabe, ato vende e kanë kushtëzuar një mbështetje të tillë për përfshirjen e Autoritetit Palestinez, të cilën Izraeli e ka refuzuar prej kohësh.
“Të gjithë duhet të punojmë për ribashkimin e Rripit të Gazës me Bregun Perëndimor, përfshirë Jerusalemin Lindor, pa okupim, rrethim, vendbanime, zhvendosje të detyruar ose aneksim. Ne duhet të rindërtojmë Gazën me dhe për popullin tonë, t’i japim fund okupimit, të arrijmë pavarësinë palestineze dhe të zbatojmë zgjidhjen me dy shtete, ku Palestina dhe Izraeli jetojnë krah për krah, në paqe dhe siguri, drejt arritjes së paqes, sigurisë rajonale dhe prosperitetit ”, ka deklaruar Mustafa. /rtsh/


