
Kreshnik Uka ‘Ylli i Javës’ në Superligë
Futbollisti i Drenicës, Kreshnik Uka e ka fituar çmimin “Ylli i Javës” nga Federata e Futbollit e Kosovës që jepet për futbollistin më të mirë të çdo xhiroje.
Uka është shpallur më i miri i javës pasi në ndeshjen e javës së 35-të ndaj Ferizajt (3:2) shënoi dy gola dhe kontribuoi me asistim.
Pasi mori këtë çmim, Uka u shpreh i lumtur për suksesin e arritur dhe rëndësinë e kësaj fitoreje për skuadrën:
“Çdo lojë prej sezonit pranveror ka qenë finale për neve. E kemi ditur që na pret një ndeshje shumë e rëndësishme, pavarësisht faktit që Ferizaj është përshëndetur nga Albi Mall Superliga, por e kemi ditur që ka me qenë shumë vështirë të fitojmë, por në fund ia arritëm qëllimit. Jam i lumtur që kontribuova me dy gola dhe një asistim. I falënderoj gjithë bashkëlojtarët e mi për angazhimin gjatë gjithë ndeshjes”, tha Uka.
Sa i përket ndeshjes së fundit kundër Prishtinës si mysafirë ai u shpreh: “E dimë që do të jetë shumë e vështirë, por ne do të shkojmë për tri pikë për t’iu shmangur barazhit. Faleminderit Federatës për çmimin ‘Ylli i Javës’, si dhe të gjithë bashkëlojtarëve, stafit të trajnerëve dhe tifozëve për përkrahjen e tyre”, shtoi Uka.

