
Kosova përfiton fonde nga BE, 2 mln euro nga miratimi i aplikimeve në Kornizën e Investimeve për rajonin
Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, njoftoi se janë miratuar aplikimet e qeverisë në Kornizën e Investimeve të Bashkimit Evropian për rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndërsa vendi do të përfitojë mbi 2 milionë euro.
Përmes një mesazhi në rrjetin Facebook, Bislimi thotë se pavarësisht faktit që Kosova ishte prej dy vitesh nën masat ndëshkuese të BE-së, vitin e kaluar aplikuan në thirrjet e Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor me katër projekte në fushat e energjisë dhe digjitalizimit.
“Shuma e granteve të asistencës teknike në këto projekte arrin totalin prej mbi 2 milionë eurosh, për projektet e energjisë vlera është mbi 800 mijë euro, ndërsa në ato të digjitalizimit mbi 1 milion e 200 mijë euro,” shkruan Bislimi.
Pas përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veriun e banuar me shumicë serbe në vitin 2023, përveç fondeve të bllokuara nga Korniza e Investimeve të BE, Kosova u pezullua edhe nga programi i Fondeve të Paraanëtarësimit IPA 2024, si dhe nga takimet e ekipeve në kundër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, por nga muaji maj i këtij viti, siç njoftoi gjatë vizitës në Prishtinë edhe Përfaqësuesja e Lartë Evropiane, Kaja Kallas, Kosovës kanë nisur t’i hiqen gradualisht masat ndëshkuese nga Bashkimi Evropian. /rtsh/


