
Kosova heq tarifën ndaj mallrave amerikane
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë me dije të premten se Kosova do ta heqë tarifën doganore ekzistuese prej 10 për qind në mallrat amerikane.
“Tani e tutje, të gjitha produktet me orgjinë nga Shtetet e Bashkuara do të kenë tarifë 0 për qind kur të hyjnë në vendin tonë. Kosova i mirëpret produktet amerikane në tregun e saj dhe besojmë fuqishëm se kjo do të ndikojë në rritjen e këmbimit tregtar dhe shtimin e investimeve”, ka thënë Kurti gjatë mbledhjes së qeverisë.
Kurti ka thënë se përmes këtij hapi dëshmohen marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe tregohet se Kosova dëshiron të ketë marrëveshje për tregti të lirë me Shtetet e Bashkuara.
Vendimi i Kurtit ka ardhur një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, i ka prezantuar tarifat e reja ndaj 69 vendeve me të cilat bën tregti ShBA-ja, me arsyetimin se ato kanë qenë të padrejta ndaj ekonomisë amerikane.


