
Konjufca uron Dirk Schübel për emërimin si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së në Kosovë
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka uruar Dirk Schübel për emërimin e tij si Përfaqësues i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Republikën e Kosovës.
Përmes një postimi në platformën “X”, Konjufca i ka uruar suksese në mandatin e ri, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë në avancimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
“Urime Dirk Schübel për emërimin tuaj si Përfaqësues i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Republikën e Kosovës. Ju uroj suksese në mandatin tuaj të ri dhe pres me padurim të bashkëpunojmë për ta forcuar edhe më tej partneritetin ndërmjet Kosovës e Bashkimit Evropian. Republika e Kosovës mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj rrugës së saj evropiane, agjendës së reformave dhe vlerave mbi të cilat bazohet Bashkimi Evropian”, ka shkruar Konjufca.
Ai ka ritheksuar se Kosova mbetet e vendosur në rrugën e integrimit evropian, duke vazhduar zbatimin e reformave dhe promovimin e vlerave demokratike që përfaqëson Bashkimi Evropian.

