Barcelona e shkatërron Valencian në “Mestalla”, spektakël i katalanasve!

Barcelona e shkatërron Valencian në “Mestalla”, spektakël i katalanasve!

Barcelona ka regjistruar fitoren e katërt radhazi në La Liga, duke mposhtur Valencian me rezultat të thellë 5-0 në “Mestalla”.

Katalanasit dominuan plotësisht takimin dhe me këtë fitore mbeten skuadra e vetme në kampionatin spanjoll me bilanc 100 për qind pas katër xhirove.

Barcelona e nisi furishëm ndeshjen dhe kaloi në epërsi që në minutën e pestë. Lamine Yamal përfitoi nga një asistim i bukur i Fermín López dhe me mjeshtëri e dërgoi topin mbi portierin Stole Dimitrievski.

Yamal shënoi edhe pak minuta më vonë, por goli u anulua nga VAR-i për pozicion jashtë loje.

Valencia mezi po gjente hapësira për të reaguar, ndërsa Barcelona kontrollonte ndeshjen me posedim të lartë të topit. Në minutën e 17-të, Fermín López dyfishoi epërsinë me një goditje të saktë me të majtën, duke e dërguar topin në këndin e poshtëm.

Valencia pati një rast për të reaguar, por Arnaut Danjuma nuk arriti ta konkretizojë. Në anën tjetër, Fermín ishte pranë golit të tretë para pushimit, por goditja e tij u ndal nga shtylla.

Barcelona vazhdoi dominimin edhe në pjesën e dytë. Pas disa rasteve të krijuara, Raphinha shënoi golin e tretë, duke e dërguar topin në rrjetë nga afërsia.

Valencia nuk arriti të ndryshojë rrjedhën e ndeshjes, pavarësisht zëvendësimeve të trajnerit. Barcelona vazhdoi të krijonte raste dhe në minutën e 79-të realizoi edhe golin e katërt.

Pedri kombinoi bukur me Dani Olmon dhe më pas e dërgoi topin në rrjetë për 4-0.

Pak minuta më vonë, Lamine Yamal vulosi fitoren e thellë me golin e pestë, sërish pas asistimit të Dani Olmos.

Me këtë rezultat, Barcelona vazhdon startin perfekt në La Liga, ndërsa Valencia pëson një humbje të rëndë në shtëpi dhe barazon startin e saj më të dobët të një sezoni në dekadën e fundit.

Katalanasit vazhdojnë gjithashtu dominimin ndaj Valencias, duke regjistruar fitoren e 11-të në 14 përballjet e fundit mes dy skuadrave. /Rekordi.net

Share This