
Komisioni Europian prezanton planin për të lidhur kryeqytetet me tren të shpejtësisë së lartë
Komisioni Europian prezantoi të mërkurën dy iniciativa që qëllim kanë reduktimin e emetimeve të karbonit nga transporti në kontinent. Një prej tyre është një plan për të lidhur deri në vitin 2040 kryeqytetet e Europës përmes një rrjeti hekurudhor të shpejtësisë së lartë, duke modernizuar linjat ekzistuese dhe duke ndërtuar të reja.
Nën këtë iniciativë, koha e udhëtimit nga Berlini në Kopenhagë reduktohet nga shtatë në katër orë, ndërsa për të udhëtuar nga Athina drejt Sofies do të duhen gjashtë orë, në vend të 14 që një udhëtim i tillë zgjat aktualisht.
Lidhje të reja hekurudhore pritet të hapen nën këtë plan, siç është ajo mes Parisit dhe Lisbonës.
Për realizimin e këtij plani, Brukseli po punon për të hequr barrierat e udhëtimeve hekurudhore ndërkufitare, nga harmonizimi i sistemeve të biletave deri te nxitja e konkurrencës për uljen e çmimeve.
Përveç kësaj, Komisioni planifikon të bëjë bashkë shtetet anëtare, operatorët hekurudhorë dhe institucionet financiare për koordinimin e nevojave masive për investime.
Përpjekjet për integrimin e lidhjeve hekurudhore nëpër Europë janë përballur deri tani me pengesa, siç ishte dështimi i rinisjes së operacioneve të trenave të natës mes Parisit dhe Berlinit apo problemet me një shërbim të ri hekurudhor mes Brukselit dhe Venecias.
Plani i dytë për reduktimin e emetimeve të karbonit, ai i investimeve për transportin e qëndrueshëm, planifikon dhënien deri në vitin 2027 të rreth tre miliardë eurove në subvencione për nxitjen e prodhimit të karburanteve me nivel të ulët karboni për sektorin e aviacionit dhe atë të transportit detar.
Plani synon nxitjen e prodhimit të alternativave me nivel të ulët karboni, siç janë karburantet biogjenike dhe ato me bazë hidrogjeni. /rtsh/


