KOMF: Fëmijët nuk mbrohen me fjalë, duhen veprime dhe investime

KOMF: Fëmijët nuk mbrohen me fjalë, duhen veprime dhe investime

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, KOMF shpreh shqetësim për situatën e rënduar të të drejtave të fëmijëve në Kosovë dhe bën thirrje për reforma urgjente dhe sistematike në të gjithë sektorët që prekin jetën e fëmijëve.

Fëmijët nën 18 vjeç përbëjnë rreth 28% të popullsisë së Kosovës, por përballen me një sistem të brishtë të mbrojtjes që rrezikon mirëqenien dhe zhvillimin e tyre. Sistemi aktual i mbrojtjes sociale i përbërë nga skemat dhe shërbimet sociale mbetet reaktiv dhe jo parandalues përmes fuqizimit të familjeve dhe qytetarëve. Skemat sociale dhe shërbimet mbulojnë mbi 15% të popullsisë në Kosovë, por investimet nuk janë të mjaftueshme për të zbutur varfërinë dhe reduktuar pabarazitë mes fëmijëve. Skema e asistencës sociale vazhdon të ketë kritere diskriminuese për fëmijët, ndërsa shtesat për fëmijë nuk përfshijnë fëmijët e moshës 16-18 duke diskriminuar këtë grupmoshë.

Qëndrueshmëria financiare e shërbimeve sociale mbetet ndër sfidat kryesore duke rrezikuar reduktimin e shërbimeve për fëmijët dhe duke mohuar kështu të drejtat themelore për mbrojtje dhe mirëqenie të fëmijëve të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Sipas të dhënave të fundit të disponueshme, 72% e fëmijëve në Kosovë përjetojnë forma të dhunshme të disiplinimit brenda mjediseve familjare. Rreth 600 fëmijë janë pa kujdes prindëror. 5% e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë të rënda. Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2020, ende nuk ka gjetur zbatim plotësisht. Shërbimet parandaluese dhe programet e parapara në këtë ligj nuk janë themeluar akoma. Kapacitetet e limituara financiare dhe njerëzore kanë krijuar një sistem të mbrojtjes së fëmijëve, ku sistemi trajton dhe menaxhon rastet e rënda emergjente të cilëve ju rrezikohet siguria apo mirëqenia apo rastet e fëmijëve pasi kanë rënë viktimë e ndonjë forme të abuzimit.

Kosova vazhdon të ketë nivelin më të ulët të përfshirjes së fëmijëve në edukimin parashkollor krahasuar me vendet e rajonit, me vetëm 15% e fëmijëve në Kosovë të moshës 3 – 4 vjeç që ndjekin programet e zhvillimit ne fëmijërinë e hershme. Sistemi arsimor përballet me sfida dhe probleme të shumta. Kalueshmëria në Testin e Arritshmërisë ishte vetëm 52.1%. Ndërkaq, “PISA” e ka renditur Kosovën në vendin e 76-të nga 80 vende pjesëmarrëse, duke shënuar rezultate të ulëta në cilësinë e arsimit. Përfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara është e kufizuar me vetëm 3,903 fëmijë me aftësi të kufizuara të përfshirë në klasat e rregullta. Në anën tjetër, nga 1,044 institucione arsimore, vetëm 609 prej tyre ofrojnë qasje fizike për fëmijët me aftësi të kufizuara, ndërsa mungesa e stafit mbështetës është kritike.

· Themelimi i shërbimeve dhe programeve për parandalimin e përdorimit të drogave nga fëmijët; Organizimi i ekipeve mobile në komunitet për identifikim, testim dhe mbështetje të rasteve të fëmijëve viktima të abuzimit me droga; Themelimi i shërbimeve për fuqizimin e prindërve për kujdesin dhe mbështetjen e fëmijëve gjatë rehabilitimit dhe re-integrimit;

· Rritja e burimeve njerëzore brenda institucioneve publike shëndetësore për shëndetin mendor;

· Rritja e numrit të institucioneve parashkollore dhe e përfshirjes së fëmijëve në nivelin parashkollor;

· Rishikimi i planprogramit mësimor, rishikimi i kurrikulave dhe rishikimi i teksteve shkollore; Vlerësimi i performancës së mësimdhënësve dhe mbështetja dhe zhvillimi i vazhdueshëm profesional i tyre;

· Rritja e numrit të mësuesve mbështetës, asistentëve mbështetës për fëmijët me aftësi të kufizuar dhe sigurimi i qasjes fizike për ta, në shkolla;

· Themelimi i qendrave apo shtëpive të specializuara për trajtimin dhe rehabilitimin e fëmijëve në konflikt me ligjin, nën moshën e përgjegjësisë penale.

Share This