
Koci: Moszbatimi i aktgjykimit rrezikon thelbin e shtetit
Avokati Arianit Koci ka paralajmëruar se mosrespektimi i aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese do të cenonte vetë themelin e shtetit të Kosovës.
Në një reagim në rrjetet sociale, Koci ka kujtuar se pas luftës vendi ka përjetuar vjedhje masive votash, devijime të vullnetit qytetar, tradhti politike, ndikime të papërshtatshme nga ndërkombëtarët, keqpërdorime tenderësh dhe punësime partiake, por një gjë ka mbetur e paprekur: zbatimi i vendimeve të Kushtetueses.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë zbatuar – të mira apo të këqija qofshin, të drejta apo të padrejta. Shpresoj se edhe tani do të ndodhë e njëjta. Përndryshe, rrezikohet vetë thelbi i shtetit,” ka shkruar ai.
Sipas Kocit, kush ka vërejtje apo kundërshtime duhet të ndjekë rrugët ligjore, ndërsa ka shtuar se fati politik i askujt nuk përcaktohet nga një proces zgjedhor.
Ai ka parashikuar se vendi pritet të shkojë sërish në zgjedhje dhe ka theksuar:
“Askush nuk mund ta shkelë vullnetin e votuesve.”


