
DnV: Fushata zgjedhore u zhvillua qetë, por me entuziazëm të zbehtë qytetar
Në prag të përmbylljes së fushatës zyrtare zgjedhore, Demokracia në Veprim (DnV) ka prezantuar një vlerësim analitik me gjetjet kryesore nga vëzhgimi i saj në terren, duke synuar të ofrojë një pasqyrë reale mbi mënyrën se si është zhvilluar fushata, mesazhet e komunikuara nga subjektet politike dhe nivelin e gjithëpërfshirjes së qytetarëve në proces.
Drejtuesi i DnV-së, Ismet Kryeziu, ka deklaruar se fushata zgjedhore, në përgjithësi, është zhvilluar në një ambient të qetë dhe pa incidente serioze të sigurisë. Sipas tij, ka pasur konkurrencë politike aktive, aktivitete të rregullta zgjedhore dhe pjesëmarrje qytetare në mbarë vendin.
Megjithatë, Kryeziu theksoi se vëzhgimi ka identifikuar edhe disa prirje dhe sfida që kanë ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e fushatës zgjedhore.
Sipas raportit të DnV-së, gjatë fushatës është vërejtur një nivel i zbehtë i entuziazmit qytetar.
“Pjesëmarrja e qytetarëve në aktivitetet e fushatës ka luhatur ndjeshëm mes subjekteve politike dhe formave të organizimit të takimeve – nga qindra pjesëmarrës deri në mbi 1 mijë pjesëmarrës. Llojet e aktiviteteve kanë qenë të kombinuara, me pjesëmarrje të mesme dhe të gjerë, kryesisht në prezantime të listave zgjedhore dhe të zhvilluara në ambiente të mbyllura”, thuhet në njoftimin e DnV-së.
Po ashtu, raporti vëren se shtrirja gjeografike e aktiviteteve ka qenë e pabarabartë, me fokus kryesor në qendrat urbane dhe komunat më të mëdha me peshë elektorale, ndërsa komunat më të vogla kanë qenë dukshëm më pak të ekspozuara gjatë fushatës.
DnV ka theksuar se këto gjetje do të shërbejnë si bazë për rekomandime konkrete me qëllim përmirësimin e proceseve zgjedhore dhe rritjen e pjesëmarrjes qytetare në të ardhmen.


