
KB Rahoveci 029 zyrtarizon amerikanin Adonis Thomas
KB Rahoveci 029, të shtunën ka zyrtarizuar përforcimin e radhës për vazhdimin e sezonit, duke arritur marrëveshje me basketbollistin amerikan Adonis Thomas.
32-vjeçari do të jetë pjesë e “vreshtarëve”, duke sjellë përvojë dhe cilësi të shtuar në repartin ofensiv.
Thomas luan në pozitat 2 dhe 3, është i gjatë 197 centimetra dhe vjen si një lojtar me eksperiencë të madhe ndërkombëtare.
Angazhimet e tij të fundit ishin me Mineros në Meksikë dhe Al Sadd në Katar, ku regjistroi një mesatare prej 10.6 pikësh për ndeshje.
Basketbollisti amerikan ka një karrierë të pasur në basketbollin evropian, duke qenë pjesë e disa skuadrave të njohura.
Ai ka luajtur për Avellino në Serie A të Italisë, Medi Bayreuth në Bundesligën gjermane, Banvit në Turqi, Gravelines në Francë, Bnei Herzeliya në Izrael, Astana në ligën VTB, Stal në Poloni, si dhe Krka në ABA Liga 1.
Me përvojë në disa nga ligat më të forta të Evropës, Adonis Thomas pritet të jetë një përforcim i rëndësishëm për KB Rahoveci 029, duke i dhënë skuadrës më shumë stabilitet, eksperiencë dhe opsione shtesë në lojën sulmuese.


