
Izraeli sulmon spitalin në Gaza, vriten 15 persona, mes viktimave 4 gazetarë
Të paktën 15 persona, përfshirë katër gazetarë që punonin për median ndërkombëtare, raportohet se janë vrarë në një sulm izraelit ndaj një spitali në Rripin jugor të Gazës.
Një kameraman i Reuters dhe një gazetar i Associated Press janë mes viktimave të sulmit në Spitalin Nasser. Dy gazetarët e tjerë raportohet se kanë punuar për Al Jazeera dhe NBC.
“Disa persona mbetën të vrarë në një sulm fillestar dhe të tjerë në sulmin e dytë, i cili ndodhi ndërsa ekipet e shpëtimit mbërritën në vendngjarje”, tha Mbrojtja Civile e drejtuar nga Hamasi.
Agjencia e lajmeve Reuters bëri me dije se kameramani i saj, Husam al-Masri, ndodhej mes viktimave. Associated Press raportoi se gazetarja e pavarur që punonte për agjencinë, Mariam Dagga ishte gjithashtu një prej viktimave,
Spitali në Khan Younis i ka përballuar sulmet dhe bombardimet gjatë gati dy viteve të luftës. Izraeli më parë ka sulmuar spitale, përfshirë Spitalin Nasser, duke thënë se po synonte militantët e Hamasit. Në qershor, një sulm izraelit në Spitalin Nasser u mori jetën tre personave. Në atë kohë, Izraeli tha se kishte goditur pikërisht militantët e Hamasit. /rtsh/

