Interi thyen Fiorentinën, shkëlqen Çalhanoglu

Interi thyen Fiorentinën, shkëlqen Çalhanoglu

Inter Milan është kthyer te fitorja dhe në zonën e katër më të mirëve në Serie A, pasi mposhti bindshëm Fiorentinën me rezultat 3-0 në “San Siro”.

Kjo ishte fitorja e tretë radhazi në shtëpi për zikaltërit ndaj “vjollcëve”, që ende nuk kanë shënuar fitore këtë sezon.

Pjesa e parë u karakterizua nga dominim territorial i Interit, por pa shumë rrezikshmëri. Federico Dimarco dhe Alessandro Bastoni provuan të gjenin rrjetën, por portieri David de Gea ishte në formë të shkëlqyer, duke mbajtur gjallë shpresat e Fiorentinës.

Në pjesën e dytë, Interi shtoi ritmin dhe zhbllokoi rezultatin në minutën e 61-të, kur Hakan Çalhanoglu shënoi një supergol nga distanca për 1-0. Vetëm pak minuta më vonë, Petar Sucic dyfishoi avantazhin pas një depërtimi të bukur në zonë, duke e dërguar topin në cepin e portës për 2-0.

Në minutat e fundit, Mattia Viti ndali në mënyrë të parregullt Ange-Yoan Bonny në zonë, duke shkaktuar penallti dhe marrë kartonin e dytë të verdhë. Nga pika e bardhë, Çalhanoglu u tregua i saktë për të dytën herë, duke vulosur rezultatin përfundimtar 3-0.

Kjo fitore e rikthen Interin në garë për kreun e tabelës, duke ndjekur nga afër Napolin dhe Romën, ndërsa Fiorentina po përjeton fillimin më të dobët të sezonit në historinë e saj në Serie A.

Share This