
IKD: Vendimet e Qeverisë në detyrë janë të kundërligjshme dhe me karakter elektoral
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ashpër ndaj vendimeve të fundit të Qeverisë në detyrë, duke i cilësuar ato të paligjshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.
Sipas komunikatës së IKD-së, këto vendime janë miratuar nga një përbërje qeveritare që, sipas Gjykatës Supreme, është në papajtueshmëri me Kushtetutën dhe Ligjin, pasi anëtarët e saj janë tashmë të certifikuar si deputetë dhe, për rrjedhojë, nuk kanë më mandat qeveritar.
IKD ka theksuar se veprimet e tilla, të marra në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe me gjasë para zgjedhjeve të reja parlamentare, kanë karakter haptazi elektoral.
“IKD nuk është kundër rritjes së pagave apo pensioneve, por këto masa duhet të ndërmerren në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet, e jo në kontekst elektoral”, thuhet në reagim.
Instituti ka theksuar se vendimet për buxhetin 2025, rritjen e pagave, pensioneve, shtesave për fëmijë dhe pagën e 13-të janë marrë pa kompetencë ligjore dhe përbëjnë shkelje të Nenit 31 të Ligjit për Qeverinë.
Po ashtu, IKD kujton se anëtarët e Qeverisë që janë certifikuar si deputetë kanë uzurpuar zyrat e Qeverisë, duke e bërë çdo vendim të marrë prej tyre të pavlefshëm juridikisht.
Në reagim theksohet se miratimi i projektbuxhetit për vitin 2025, rritja e pagesës për përvojën e punës, si dhe paga e 13-të, janë marrë në kundërshtim me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe ligjet përkatëse.
Sipas IKD-së, këto veprime mund të përbëjnë edhe shkelje penale, konkretisht keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Përfitimet elektorale të këtyre vendimeve përbëjnë ‘dobinë personale’ të ndaluar me ligj, dhe për këtë arsye, përgjegjësia penale duhet të adresohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, përfundon reagimi i IKD-së.


