
Hysaj para duelit me Serbinë: Kemi ardhur për fitore, jo për barazim
Kombëtarja e Shqipërisë është gati për “finalen” e madhe ndaj Serbisë, ndeshje e vlefshme për vendin e dytë në Grupin K të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Serbia dhe Shqipëria do të përballen të shtunën mbrëma në Leskovc.
Në konferencën për media, kapiteni Elseid Hysaj kujtoi duelin e famshëm të vitit 2014, duke theksuar se emocionet janë të mëdha, por përkushtimi i skuadrës është maksimal.
“Të them të drejtën, emocionalisht është e njëjta gjë. Po e përjetoj këtë ndeshje me shumë emocione, sepse është e vështirë dhe e bukur. Mezi pres të jem në fushë nesër”, tha Hysaj.
Mbrojtësi kuqezi u shpreh se ekipi është i vetëdijshëm për peshën e madhe të këtij takimi dhe se në fushë do të kërkojnë vetëm fitoren.
“Ne kemi ardhur për fitore, as për barazim, as për humbje. Duhet të jemi të përqendruar, të japim 120%. Është finale si për ne, ashtu edhe për ta”, theksoi ai.
Sa i përket kujtimeve nga përplasjet e kaluara dhe masave të rrepta të sigurisë, Hysaj tha se ato i shërbejnë më shumë motivimit të skuadrës.
“Masat e sigurisë janë si herën e kaluar. Këto ndeshje janë speciale dhe të mbushin me energji”, pohoi Hysaj.
Kapiteni i Shqipërisë foli edhe për kundërshtarin, duke theksuar se respekton cilësitë e Serbisë, por është i bindur në potencialin e kuqezinjve.
“E dimë që Serbia ka lojtarë të mirë, kam luajtur kundër shumë prej tyre. Janë me kualitet, por edhe ne kemi eksperiencë dhe dimë si ta përballojmë këtë sfidë”, ka përfunduar Hysaj.


