Trump: Iranianët duhet të bëhen të zgjuar dhe shumë shpejt

Trump: Iranianët duhet të bëhen të zgjuar dhe shumë shpejt

Presidenti amerikan, Donald Trump ka lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj Iranit duke deklaruar se ”iranianët duhet të bëhen të zgjuar dhe shumë shpejt”, në një postim të publikuar në rrjetin e tij social Truth Social.

Komentet vijnë në një moment kur bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për programin bërthamor janë bllokuar prej disa ditësh.

”Irani nuk po arrin të reagojë si duhet. Ata nuk dinë si të arrijnë një marrëveshje”, shkroi Trump duke shtuar tone kritike ndaj mënyrës se si po zhvillohen negociatat.

Në të njëjtin postim, ai publikoi edhe një imazh të tij të veshur me kostum dhe kravatë të zezë, duke mbajtur një armë automatike në një sfond që i ngjan një zone lufte, i shoqëruar me mesazhin ”Mjaft më duke bërë si të mirët”.

Deklaratat e tij vijnë në një klimë të tensionuar diplomatike, ku përpjekjet për të ringjallur një marrëveshje mbi programin bërthamor të Iranit mbeten në ngërç, ndërsa retorika mes palëve vazhdon të ashpërsohet. /atsh/

Share This