Hill dëshmon në Hagë: Hashim Për Hashim kisha përshtypje se ishte i besueshëm, por jo vendimmarrës

Hill dëshmon në Hagë: Hashim Për Hashim kisha përshtypje se ishte i besueshëm, por jo vendimmarrës

Ish-diplomati amerikan, Christopher Hill ka përfunduar dëshminë e tij në Gjykatën Speciale ku ka deklaruar se për Hashim Thaçin kishte përshtypjen se ai ishte një njeri i besueshëm si bashkëbisedues, por nuk ishte vendimmarrës.

Sipas Hillit, Thaçit i besohej që të parashtronte argumentet e UÇK-së, por nuk i ishte besuar vendimmarrja.

Nuk i ishte lënë në dorë vendimmarrja. Ky është versioni im”, tha Hill.

Ish-diplomati amerikan u shpreh se nuk e di nëse Thaçi ishte ndonjëri prej themeluesve të UÇK-së.

“Kjo përshtypje bënte kuptim kur ai tha se nuk mund të pajtohej me atë se çfarë ishte bërë në Rambuje edhe që na tha se nëse binim dakord pa u konsultuar, kur të kthehej do ta vrisnin”, tha ai.

Hill foli në Hagë edhe për komunikatat që pretendohet se janë lëshuar nga Ushtria Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ai tha se nuk e di se nga kush janë lëshuar ato dhe për çfarë arsyesh.

Këto ishin shumë të mjegullta për ne sepse ne nuk e dinim se kush i lëshonte këto komunikata. A ishin çështje sigurie që nxirreshin apo vërtetë nuk ekzistonte një strukturë që të besonim edhe ne. Prandaj, ne nuk mund t’i përdornim këto komunikata si bazë për të përcaktuar një strukturë vertikale organizative të UÇK-së”, tha dëshmitari Christopher Hill.

Ish-diplomati amerikan Christopher Hill, në ditën e tretë të dëshmisë në Gjykatën Speciale, në përgjigjet e tij ndaj trupit gjykues tha se kishte shumë persona që flisnin në emër të UÇK-së.

Sipas meje dhe në cilësinë time si i deleguar i posaçëm, unë e kisha të qartë dhe të tjerët ma kishin bërë të qartë se ne nuk e dinim se kush fliste për UÇK-në. Për shembull, zoti Demaçi fliste për rolin që ai kishte në UÇK, por askush nuk ma konfirmoi. Kishte shumë persona që prezantoheshin se flisnin në emër të UÇK-së. Problemi ynë ishte që nuk kishim një pikë kontakti të konfirmuar me të cilën mund të komunikonim për të ardhmen,” tha ai.

Ai shtoi se çështja e pavarësisë së Kosovës ishte më shumë se slogan. Hill tha se shqiptarët e donin Kosovën Republikë si shtetet tjera që ishin shkëputur nga Jugosllavia.

Personat shprehnin dhe thoshin se unë e mbështes se Kosova do të jetë në Republikë. Pra, si të gjitha republikat tjera të shkëputura nga Jugosllavia. Pra, kur thoshin republikë e krahasonin me shtetet e tjera që ishin shkëputur nga Jugosllavia”, tha ai. /rtsh/

Share This