
Hekuran Murati flet për “rekord” në qarkullim të bizneseve – reagon ashpër Hykmete Bajrami
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, të shtunën ka bërë të ditur se qarkullimi i bizneseve në Kosovë për gjashtë muajt e parë të vitit 2025 ka arritur në 10.7 miliardë euro, që sipas tij përbën një rekord historik dhe një rritje prej 10.3% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur qarkullimi ishte 9.7 miliardë euro.
Mirëpo ndaj këtij deklarimi ka reaguar ashpër deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila thotë se ky “rekord” nuk është domosdoshmërisht tregues i zhvillimit ekonomik, por i rritjes së çmimeve dhe kërkesës joelastike për mallra esencialë.
“Tregoni ekonomistit – interpretues të Kushtetutës se rritja e çmimit ndikon në rritjen e qarkullimit, për shkak se për artikujt e domosdoshëm kërkesa është joelastike,” ka shkruar Bajrami në një reagim publik.
Ajo sfidon Muratin që të tregojë cilat kompani kanë shënuar rritjen më të madhe të qarkullimit gjatë mandatit të qeverisë aktuale, duke pohuar se janë kompanitë që merren me tregtinë e energjisë ato që kanë përfituar më shumë.
“Dhe për këtë, meritat i takojnë Hekuranit me shokë, se këmbë e kokë janë të përfshirë,” ka shtuar ajo.
Deputetja Bajrami përfundon reagimin e saj me një sfidë publike për përballje, duke thënë se është e gatshme të diskutojë faktet dhe konceptet ekonomike në çdo kohë dhe vend që cakton ministri Murati.
Kjo përplasje vjen në kohën kur çështjet ekonomike dhe menaxhimi i burimeve energjetike vazhdojnë të jenë tema të nxehta në debatin politik në vend.


