
Arben Gashi: Gjykata Kushtetuese duhet të sjellë vendim të ri që zëvendëson atë të vitit 2014
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të sjellë një vendim të ri, i cili do ta zëvendësonte vendimin e vitit 2014 lidhur me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.
Sipas tij, një vendim i tillë do të rikthente stabilitetin institucional dhe bashkëpunimin politik në vend.
Gashi thotë se pa ndërtimin e një kulture të bashkëpunimit dhe kompromisit, Kosova nuk mund të ketë stabilitet të qëndrueshëm qeverisës dhe përfaqësim funksional.
“Gjykata Kushtetuese duhet të sjellë një vendim të ri që zëvendëson vendimin e vitit 2014, lidhur me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, dhe që kthen situatën në përputhje me frymën dhe rregullin kushtetues. Gjykata duhet të rikthejë gjendjen para ndryshimit të njëanshëm të procedurës së votimit, sepse ky ndryshim pa miratim formal paraprak të deputetëve është kundërkushtetues dhe nuk përfaqëson vullnetin demokratik të Kuvendit,” ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka theksuar se parimi i së drejtës relative duhet të zëvendësojë logjikën e së drejtës absolute, duke nënvizuar rëndësinë e flexibilitetit kushtetues në përputhje me realitetin politik dhe nevojat demokratike.
Kjo deklaratë e Gashit vjen në një periudhë të tensionuar politike, ku debati për funksionimin e institucioneve dhe respektimin e parimeve kushtetuese mbetet temë qendrore në diskursin publik dhe parlamentar.


