
Haxhiu për dënimin në rastin e Liridona Ademajt: Drejtësia dha përgjigje të fortë ndaj një krimi të rëndë
Ushtruesja e detyrës së presidentes dhe kryeparlamentarja, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vendimit të gjykatës për rastin e vrasjes së Liridona Ademaj, duke e cilësuar atë si një përgjigje të merituar të drejtësisë.
Sipas saj, dënimi me burgim të përjetshëm për Naim Murseli dhe Granit Plava, si dhe 30 vjet burg për Kushtrim Kokalla, përbëjnë një mesazh të qartë se krime të tilla nuk do të mbeten të pandëshkuara.
“Sot drejtësia dha një përgjigje të fortë ndaj një krimi që tronditi gjithë vendin. Përpjekjet për ta fshehur vrasjen përmes skenarëve të rremë vetëm sa e rënduan më tej aktin,” ka deklaruar Haxhiu.
Ajo theksoi se, megjithëse asnjë vendim nuk mund ta kthejë viktimën pranë familjes, aktgjykimi dëshmon se askush nuk mund të planifikojë apo kryejë një krim të tillë dhe të presë t’i shpëtojë drejtësisë.
Haxhiu ka nënvizuar gjithashtu se lufta kundër femicidit kërkon angazhim të vazhdueshëm institucional dhe shoqëror.
“Sfidimi i dhunës ndaj grave kërkon vigjilencë të përhershme, institucione të forta dhe zero tolerancë ndaj çdo forme të dhunës,” është shprehur ajo.
Në fund, ajo ka shprehur solidaritet me familjen e viktimës, duke theksuar se vendimi i gjykatës duhet të shërbejë si një hap drejt drejtësisë dhe një mesazh për një shoqëri më të sigurt për gratë në Kosovë.


