Haxhiu: Mbështetja amerikane u bë pjesë e historisë sonë kombëtare

Haxhiu: Mbështetja amerikane u bë pjesë e historisë sonë kombëtare

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 250-vjetorit të pavarësisë, duke theksuar se historia amerikane dhe ajo shqiptare janë ndërthurur në momente vendimtare për lirinë dhe vetëvendosjen e shqiptarëve.

Në fjalën e saj, Haxhiu tha se ky përvjetor rikthen vëmendjen te një prej pyetjeve themelore politike që shënoi revolucionin amerikan: kush ka të drejtë të qeverisë dhe prej nga buron kjo e drejtë, njofton zyra për informim e Presidentes.

“Përgjigjja që u dha më 1776 ishte e guximshme për kohën e saj dhe mbetet kërkuese edhe sot. Pushteti nuk qëndron mbi popullin. Legjitimitetin e merr prej tij dhe duhet të mbahet brenda kufijve të ligjit, përfaqësimit dhe qytetarisë së barabartë”, tha Haxhiu.

Ajo theksoi se shqiptarët e kuptuan herët peshën e këtyre parimeve, veçanërisht në momente kur fati i kombit rrezikohej të vendosej pa praninë e tij. Duke kujtuar Konferencën e Paqes në Paris, ajo përmendi rolin e Presidentit Woodrow Wilson, i cili kishte deklaruar se “Shqipëria duhet të jetë e pavarur”.

Haxhiu foli edhe për veprimtarinë e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara, duke veçuar figura si Fan Noli dhe Faik Konica.

“Noli e kuptoi se gjuha mund të bëhej institucion edhe përpara se shteti të ishte mjaftueshëm i fortë për ta mbrojtur atë. Ai ndihmoi që një komunitet emigrantësh të shndërrohej në forcë kombëtare”, tha ajo.

Duke folur për Faik Konicën, ajo theksoi rolin e tij në përfaqësimin diplomatik dhe në artikulimin e çështjes shqiptare në SHBA.

Në këtë kontekst, Haxhiu përmendi edhe Hasan Prishtinën si figurë që i dha zë Kosovës në kërkesat për vetëvendosje, duke theksuar se kjo ide u rikthye fuqishëm gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Nën udhëheqjen e Presidentit Bill Clinton, me Sekretaren Madeleine Albright në qendër të diplomacisë amerikane, Shtetet e Bashkuara qëndruan në ballë të ndërhyrjes së NATO-s, duke i dhënë forcë politike e diplomatike përpjekjes që ndali luftën dhe ia hapi Kosovës rrugën drejt lirisë. Për popullin e Kosovës, udhëheqja amerikane u bë pjesë e historisë sonë kombëtare, sepse ndryshoi rrjedhën e saj”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se liria e Kosovës u konkretizua në institucione, zgjedhje dhe rend kushtetues.

“Për shqiptarët, dhe për Republikën e Kosovës sot, kjo ide u bë e prekshme përmes historisë. U bë e prekshme kur udhëheqja amerikane ndihmoi që e drejta për liri të mos mbetej vetëm kërkesë, por të bëhej e ardhme”, u shpreh ajo.

Në fund, Haxhiu theksoi se urimet për SHBA-në vijnë me mirënjohjen e një Republike sovrane.

“Ne e dimë se mënyra më e mirë për ta nderuar atë mbështetje është ndërtimi i një shteti të denjë për të”, tha ajo.

Duke cituar Walt Whitmanin, ajo shtoi se shqiptarët e kanë gjetur herët vendin e tyre në historinë amerikane.

“Këtë miqësi e nderojmë me mirënjohje, me kujtesë dhe me përgjegjësinë për të ndërtuar një shtet të denjë për lirinë që fituam. Gëzuar 250-vjetorin e Pavarësisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha u.d. presidentja Haxhiu. /rtk/

Share This