
Haxhiu: Demonstratat e vitit 1981 krijuan një ndërgjegjësim të ri shoqëror
Nën përkujdesjen e kryeministrit Albin Kurti po mbahet akademi përkujtimore për 45-vjetorin e demonstratave të vitit 1981.
Në këtë akademi kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se lëvizja e studentëve në vitin 1981 nuk pasqyronte vetëm protestë kundër sistemit shtypës por ishte edhe një kthjellim i vetëdijes kolektive dhe diferencim i qartë midis atyre që e pranonin Status-quo-n dhe atyre që kërkonin ndryshim dhe pikërisht këtu qëndron rëndësia e saj politike.
Haxhiu shtoi se demonstratat e vitit 1981 krijuan një ndërgjegjësim të ri shoqëror i cili e ndryshoi në mënyrë thelbësore mënyrën se si shqiptarët e Kosovës e shihnin vetën dhe të ardhmen e tyre.
“Sot duke i kujtuar demonstratat e vitit 1981 i nderojmë me respekt të thellë të gjithë pjesëmarrësit që i dhanë jetë atij zhvillimi politik, studentët, aktivistët dhe qytetarët që u bashkuan rreth një kërkese të përbashkët për barazi, dinjitet dhe për Kosovën Republikë të cilën e gëzojmë sot”, tha Haxhiu.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në akademinë përkujtimore mbajtur në 45-vjetorin e demonstratave të studentëve të vitit 1981, tha se “prej vitesh, veçanërisht në periudhën e lirisë, çdo pranverë i kemi kujtuar demonstratat e marsit dhe të prillit të vitit 1981 në Kosovë si ngjarje kapërcyese apo si një prag i mirëvendosur që rri poshtë një dere me peshë të rëndë e cila e kishte mbyllur një epokë në njërën anë dhe e kishte hapur një epokë tjetër të re në anën tjetër”.
“Sivjet, në këtë përvjetor, kur u bënë 45 vjet nga demonstratat e ’81-shit, jam shumë i gëzuar që ju shoh të gjithëve këtu së bashku për të ndarë kujtime dhe për të reflektuar mbi ngjarjet që i kanë prodhuar ato. Si drejtues i qeverisë e shtetit tonë e kam kënaqësinë e veçantë të jem nikoqir i kësaj akademie përkujtimore, meqë ky takim është organizuar nga zyra e kryeministrit të Kosovës, të asaj Republike dhe të asaj Kosove për të cilën është brohoritur aq fuqishëm dhe e cila është shkruar aq shumë pikërisht në demonstratat e vitit 1981”, tha kryeministri Kurti.
“Akronimi KR si një storie e parullës Kosova Republikë përmbledh idealet politike të disa gjeneratave dhe shqiptarëve të Kosovës, të shqiptarëve në Jugosllavi dhe të kombit shqiptar në përgjithësi. Rrjedhimisht kërkesa për Republikën e Kosovës, thirrja ‘Kosova-Republikë’, është një nga shënjuesit me më së shumti ngarkesa kuptimore politike në tërë filozofinë dhe historinë e mendimit politik. Duke qenë në këtë sallë mes kaq shumë aktivistësh politikë që janë organizatorë e pjesëmarrës dëshmitarë dhe trashëgimtarë të demonstratave, mua nuk më takon të rrëfej për ngjarjet e asaj kohe, meqë për ju ato janë përjetime të ngulitura në kujtesën tuaj”, tha Kurti.
Ndërsa profesori Bajram Kosumi tha se demonstratat e vitit ’81 janë një prej ngjarjeve të mëdha në historinë e re të Kosovës dhe të shqiptarëve. Ato lanë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën kolektive dhe, që në ditët e para, rreth tyre u krijuan mite, të cilat edhe sot duken madhështore.
“Demonstratat e vitit ’81 janë të mëdha dhe historike, sepse me kërkesën për Republikën e Kosovës ato e ndryshuan rrjedhën politike dhe historike të Kosovës dhe të shqiptarëve në Jugosllavi. Ato bënë kthesën dhe e ndanë historinë e Kosovës në dy epoka. Ato rrënuan të gjitha paradigmat politike, nacionale dhe strategjike të Kosovës dhe hapën shumë rrugë të reja për Kosovën dhe shqiptarët”, tha Kosumi. /rtk/


