
Hapja e Gjykatës Administrative, Haxhiu: Ditë e rëndësishme për drejtësinë
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, në ceremoninë e hapjes së Gjykatës Administrative të Kosovës, e cilësoi fillimin e funksionimit të saj si një moment i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë në vend.
Haxhiu theksoi se rëndësia e kësaj gjykate nuk qëndron vetëm në themelimin formal, por në ndikimin që do të ketë në jetën e përditshme të qytetarëve.
“Fillimi i punës së Gjykatës Administrative padyshim është ditë e rëndësishme për sistemin tonë të drejtësisë, por rëndësia e saj e vërtetë do të ndihet jashtë këtyre ambienteve. Në zyrat, në shtëpitë ku qytetarët presin përgjigje. Në familjet që varen nga një vendim në punën e përditshme të administratës dhe në besimin që njerëzit kanë në raport me shtetin dhe institucionet e Republikës së Kosovës”, tha ajo.
Po ashtu tha se vendimet administrative prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve të Kosovës.
“Kur e kemi nisur këtë punë në Ministrinë e Drejtësisë, kemi pasur para vetes një problem të njohur, shteti vendos kurse qytetari shpesh detyrohet të presë gjatë për ta kuptuar nëse vendimi i një institucioni është i drejtë apo i ligjshëm. Në një Republikë demokratike, vendimi i administratës nuk mund ta lë qytetarin pa rrugë. Edhe sot në një kapacitet tjetër, e shoh këtë gjykatë me të njëjtën bindje, reforma pra nuk matet me momentin kur shkruhet në ligj por atëherë kur qytetari fillon ta ndjej në jetën e vet. Sot me hapjen e Gjykatës Administrative uroj fort që qytetari ta ndjej dorën e shtetit dhe uroj që çdo dorë që prek jetën e qytetarit të jetë e kujdesshme, e matur dhe e përgjegjshme”, pohoi Haxhiu.
Ndërkaq Arjeta Sadiku, ushtruese e detyrës së Kryesueses së Këshillit Gjyqësor të Kosovës, tha se kjo gjykatë do të jetë e specializuar për të shqyrtuar dhe vendosur çështjet në konflikte administrative dhe kontestet nga marrëdhënia e punës në juridiksionin e saj.
“Gjykata Administrative përfaqëson një risi të rëndësishme në sistemin gjyqësor të Kosovës. Kjo gjykatë do të jetë e specializuar për të shqyrtuar dhe vendosur çështjet në konflikte administrative dhe kontestet nga marrëdhënia e punës në juridiksionin e saj, duke ofruar një mekanizëm të pavarur, profesional dhe efikas të kontrollit gjyqësor në vendimet e organeve administrative. Megjithatë, funksioni efikas i këtij mekanizmi nuk mund të arrihet pa një bashkëpunim të mirëfilltë institucional. Organet administrative dhe Gjykata Administrative nuk duhet të shihen si palë në kundërshtim, por si pjesë e një sistemi të përbashkët që synon garantimin e ligjshmërisë dhe transparencës”, pohoi Sadiku.
Tutje ajo theksoi se bashkëpunimi i mirëfilltë nënkupton, para së gjithash, respektimin e vendimeve gjyqësore nga ana e organeve administrative.
“Zbatimi i drejtë dhe i menjëhershëm i këtyre vendimeve rrit besimin e qytetarëve në institucione dhe forcon autoritetin e drejtësisë. Po ashtu, komunikimi i hapur dhe profesional ndërmjet administratës dhe gjykatës ndihmon në shmangien e keqkuptimeve dhe përmirësimin e cilësisë së vendimmarrjes administrative. Në një shtet demokratik, asnjë institucion nuk funksionon i izoluar dhe jo rastësisht sot jemi këtu bashkë me përfaqësuesit e organeve administrative dhe përfaqësues të tjerë relevantë, të cilët janë pjesë përbërëse e drejtësisë administrative. Kjo bëhet me qëllim të përcjelljes së mesazhit të qartë: që të marrim përgjegjësinë e përbashkët për zbatim të drejtë të ligjit, për zbatim të vendimeve gjyqësore dhe shërbime cilësore për qytetarët”, tha ndër të tjera Sadiku. /rtk/

