
Guardiola: Rodri drejt rikthimit, dua që Gvardiol të qëndrojë te City
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka folur para mediave në prag të ndeshjes ndaj Brentford, në një moment delikat për kampionët anglezë në garën për titull.
City humbi pikë ndaj Everton në mesjavë, duke i dhënë një avantazh të rëndësishëm Arsenalit në krye të tabelës.
“Topçinjtë” tashmë kanë pesë pikë më shumë, ndërsa skuadra e Guardiolës nuk ka më hapësirë për gabime në javët e mbetura të sezonit.
Megjithatë, tekniku spanjoll mbetet optimist, sidomos me mundësinë e rikthimit të Rodri, i cili ka munguar në tri ndeshjet e fundit për shkak të një problemi në ijë.
“Do ta shohim këtë pasdite. Kemi mbijetuar pa të për shumë muaj. Ai ende nuk ndihet plotësisht rehat. Nuk varemi vetëm nga mungesa e Rodrit”, deklaroi Guardiola.
Ai foli edhe për rikthimin e Josko Gvardiol, duke e cilësuar mbrojtësin kroat si një lojtar shumë të rëndësishëm për ekipin.
“Ai po stërvitet. Ka munguar për shumë muaj, por ka qenë një lojtar i rëndësishëm për ne. Jam i lumtur që është rikthyer dhe shpresoj të zhvillojë një Botëror të mirë. Sezonin e ardhshëm mund ta kemi në nivelin e tij më të mirë. Ai luan shumë shpejt, me intensitet të madh, njësoj si Ruben”, u shpreh Guardiola.
Në fund, trajneri i Cityt komentoi edhe të ardhmen e Gvardiol, duke theksuar se dëshiron ta shohë atë në “Etihad” edhe pas verës.
“Nuk kam informacione për kontratën e tij, por do të doja shumë që Gvardiol të qëndrojë këtu”, përfundoi Guardiola.

