
Hamza publikon zotimin e dytë: Rritje 50% e pensioneve dhe ndihmave sociale
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka publikuar videon e dytë nga pesë zotimet kryesore të programit të tij qeverisës, kësaj radhe të fokusuar në rritjen e pensioneve dhe ndihmave sociale.
Në videomesazhin e publikuar, Hamza ka theksuar se pensionet aktuale nuk janë të mjaftueshme për të siguruar një jetë dinjitetshme për pensionistët, sidomos në kushtet e rritjes së vazhdueshme të kostos së jetesës.
“Unë e di që pensionet e sotme nuk mjaftojnë për një jetë të dinjitetshme, sidomos në një kohë kur çdo gjë është shtrenjtuar, nga ushqimi te barnat e deri te shërbimet bazike,” ka deklaruar Hamza.
Ai ka bërë të ditur se të gjitha kategoritë e pensioneve do të rriten për 50%, pa përjashtim, duke përfshirë pensionet e moshës, pensionet kontributdhënëse, pensionet e kategorive të luftës, pensionet e aftësisë së kufizuar dhe ato invalidore.
“Asnjë pension në Kosovë nuk do të jetë më i ulët se 250 euro,” ka theksuar kandidati për Kryeministër.
Po ashtu, Hamza ka paralajmëruar se edhe të gjitha ndihmat sociale do të rriten për 50%, duke shtuar se mbështetja për kategoritë më të ndjeshme do të jetë prioritet i qeverisjes së tij.
“Me mua Kryeministër, shteti do të jetë pranë jush,” ka përfunduar Hamza.

