Hamza nga Skenderaj: Drenica i ka prirë gjithmonë ndryshimeve historike në Kosovë

Hamza nga Skenderaj: Drenica i ka prirë gjithmonë ndryshimeve historike në Kosovë

Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka vazhduar fushatën elektorale me një tubim në Skenderaj, ku para mbështetësve ka prezantuar vizionin e tij për qeverisjen e ardhshme të vendit.

Në fjalën e tij, Hamza tha se Drenica ka qenë historikisht vendi ku janë marrë vendime të rëndësishme për Kosovën, duke theksuar se edhe këtë herë qytetarët e kësaj treve do t’i japin shtysë ndryshimeve që, sipas tij, i nevojiten vendit.

“Prej këtu janë kundërshtuar padrejtësitë dhe kanë nisur kthesa të rëndësishme historike. Sot, nga Drenica, po i themi stop krizës dhe po i hapim rrugë një kapitulli të ri për Kosovën”, u shpreh ai.

Gjatë tubimit, Hamza pati edhe kritika ndaj qeverisë aktuale, ndërsa vlerësoi figurën e Sami Lushtaku, të cilin e quajti “Sami Kosova”, duke theksuar kontributin e tij në proceset politike dhe kombëtare.

Duke folur për Drenicën, kandidati i PDK-së tha se kjo trevë njihet për mikpritjen, bujarinë dhe qëndresën e saj ndër vite, duke shtuar se historia dhe identiteti i saj mbeten të pandryshueshme.

“Drenica është vend i mikpritjes dhe rezistencës. Historikisht ka qenë dhe mbetet një simbol i qëndresës, një histori që nuk mund të ndryshohet nga askush”, deklaroi Hamza para qytetarëve të mbledhur në Skenderaj.

Share This