
Picula: Është koha për masa më të ashpra ndaj regjimit në Serbi
Eurodeputeti kroat dhe raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, tha se Serbia e zgjedh vetë rrugën e saj, por nëse dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, duhet të heqë dorë nga revizionizmi historik.
Pas varrimit të Ratko Mlladiqit, ai tha se BE-ja duhet të ndryshojë qasjen ndaj autoriteteve në Beograd, duke paralajmëruar se hapësira për diplomaci po ngushtohet.
Tonino Picula vlerësoi se varrimi i Ratko Mlladiqit, i dënuar përfundimisht për gjenocid, duhet të shënojë një pikë kthese në marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Varrimi i kriminelit të luftës Ratko Mlladiq, i dënuar përfundimisht për gjenocid, duhet me të vërtetë të ndryshojë rrënjësisht politikën e gjatë të tolerimit të Aleksandar Vuçiqit nga ana e Bashkimit Evropian. Kjo vlen veçanërisht për Komisionin Evropian, i cili deri tani ka qenë shumë dashamirës, si dhe për disa shtete anëtare me ndikim të madh”, tha për HRT, Picula, transmeton rtk.
Ai theksoi se ngjarjet në Beograd nuk janë arsyeja e vetme për të cilën pret ndryshim të politikës evropiane. Picula përmendi edhe vizitën e Vuçiqit vitin e kaluar në Moskë, ku mori pjesë në paradën ushtarake, rastin e Banjskës në veri të Kosovës, ligjet për të cilat pretendon se cenojnë pavarësinë e prokurorisë, si dhe shkeljen e standardeve demokratike pas tragjedisë në Novi Sad.

