Hamasi rrezikon armëpushimin, vendos 7 mijë militantë në zonat e evakuuara nga IDF

Hamasi rrezikon armëpushimin, vendos 7 mijë militantë në zonat e evakuuara nga IDF

Në një lëvizje që mund të rrezikojë armëpushimin, Hamasi po bën thirrje që rreth 7 mijë anëtarë të forcave të tij të sigurisë të vendosen në zonat e Gazës nga ku trupat izraelite u larguan si pjesë e armëpushimit.

Sipas BBC, Hamasi ka emëruar edhe pesë guvernatorë të rinj në këto zona, të cilët kanë një sfond ushtarak, dhe disa prej tyre ishin komandantë brigadash në krahun e saj të armatosur për të mbikëqyrur operacionet.

Po sipas BBC, persona të armatosur të Hamasit janë vendosur tashmë në disa zona në Gaza, disa me rroba civile dhe të tjerë me uniformat blu të policisë së Gazës.

Mobilizimi i Hamasit pritej mes pasigurisë në rritje për udhëheqjen e Gazës pas luftës, një çështje kyçe që mund të komplikojë fillimin e fazës së dytë të planit të presidentit amerikan Donald Trump, i cili i bën thirrje Hamasit të çarmatoset.

“Ne nuk mund ta lëmë Gazën në mëshirën e hajdutëve dhe milicive të mbështetura nga pushtimi izraelit. Armët tona janë të ligjshme, ato ekzistojnë për t’i rezistuar pushtimit dhe do të mbeten për sa kohë që pushtimi vazhdon”, tha një zyrtar i Hamasit jashtë vendit.

Një zyrtar palestinez në pension që ka shërbeur për vite me radhë në Autoritetin Palestinez në Gaza tha se kishte frikë se rajoni po shkonte sërish drejt një tjetër gjakderdhjeje të brendshme.

“Hamasi nuk ka ndryshuar. Ai ende beson se armët dhe dhuna janë mjetet e vetme për të mbajtur gjallë lëvizjen e tij”, tha ai.

Këto zhvillime pas armëpushimit kanë shkaktuar shqetësim të thellë tek banorët e Gazës, të cilët tashmë janë rraskapitur nga dy vjet konflikt shkatërrues. /rtsh/

Share This