
Haaland pas eliminimit: Dua që Anglia ta fitojë Botërorin
Erling Haaland ka befasuar me deklaratën e tij pas eliminimit të Norvegjisë nga Kupa e Botës 2026, duke shprehur mbështetjen për Anglinë në vazhdim të turneut.
Norvegjia i dha fund ëndrrës së saj në çerekfinale, pasi u mposht 2-1 nga Anglia pas vazhdimeve. Skandinavët kaluan të parët në epërsi me Andreas Schjelderup, por Jude Bellingham realizoi dy gola për t’i dërguar “Tre Luanët” në gjysmëfinale.
Haaland, i lindur në Leeds gjatë kohës kur babai i tij, Alf-Inge Haaland, luante për Leeds United, tha se ka një lidhje të veçantë me Anglinë dhe dëshiron ta shohë atë të triumfojë në Botëror.
“Kam disa shokë të ekipit te Manchester City që luajnë për Anglinë, por edhe në Francë e Spanjë. Natyrisht që dua ta shoh Anglinë të ecë përpara. Kam bërë tifo për ta prej kohësh dhe, kur isha fëmijë, mora fanellën e Anglisë edhe para asaj të Norvegjisë. Është një vend i mrekullueshëm dhe dua që t’ia dalin mirë”, deklaroi Haaland.
25-vjeçari zhvilloi një Botëror të jashtëzakonshëm, duke realizuar shtatë gola dhe duke hyrë në garën për “Këpucën e Artë” së bashku me Kylian Mbappen, Lionel Messin dhe Harry Kanen.
Haaland gjithashtu barazoi rekordin e polakut Grzegorz Lato për numrin e golave të shënuar në debutimin në Kupën e Botës.
Ylli norvegjez theksoi se, pavarësisht zhgënjimit për eliminimin, është jashtëzakonisht krenar për rrugëtimin historik të kombëtares së tij.
“Ka qenë e vështirë ta përjetojmë gjithë këtë rrugëtim. Gjashtë javët e fundit kanë qenë si një slitë emocionesh, me shumë presion dhe ndjenja të forta. Mendoj se tani kemi treguar se i përkasim nivelit më të lartë. Kjo e ndryshon Norvegjinë dhe dëshmon se mund të jemi një nga kombëtaret më të mëdha të futbollit. I bëmë një ndeshje shumë të fortë Anglisë dhe në fund ndihem vetëm krenar për atë që kemi arritur”, u shpreh Haaland.

