Katër superfuqitë në gjysmëfinale të Botërorit 2026, spektakli i garantuar

Katër superfuqitë në gjysmëfinale të Botërorit 2026, spektakli i garantuar

Botërori 2026 ka hyrë në fazën vendimtare, me katër kombëtaret më të forta që do të luftojnë për një vend në finalen e madhe.

Franca, Spanja, Argjentina dhe Anglia kanë siguruar kualifikimin në gjysmëfinale, duke premtuar dy përballje spektakolare.

Të martën, Franca do të përballet me Spanjën në Arlington, në një duel që rikthen kujtimet e gjysmëfinales së Euro 2024, ku spanjollët triumfuan 2-1 përpara se të fitonin trofeun.

Një ditë më vonë, kampionia në fuqi Argjentina do të sfidojë Anglinë në Atlanta, në një ndeshje që pritet të jetë ndër më të ndjekurat e këtij Botërori.

Argjentina siguroi kalimin në mesin e katër skuadrave më të mira pasi mposhti Zvicrën 3-1 pas vazhdimeve. Alexis Mac Allister kaloi fillimisht në epërsi “Albicelestët”, ndërsa Dan Ndoye barazoi për zviceranët. Në kohën shtesë, Julian Alvarez realizoi një gol spektakolar, ndërsa Lautaro Martinez vulosi fitoren në minutat e fundit.

Kampionët e botës synojnë të bëhen kombëtarja e parë që mbron me sukses titullin botëror që nga Brazili në vitin 1962.

Në anën tjetër, Anglia siguroi kualifikimin pas fitores 2-1 ndaj Norvegjisë, falë dy golave të Jude Bellingham. Megjithatë, përzgjedhësi Thomas Tuchel pranoi se skuadra e tij nuk zhvilloi ndeshjen më të mirë.

“Tre Luanët” rikthehen në gjysmëfinalen e Kupës së Botës për herë të katërt në histori, pas viteve 1966, 1990 dhe 2018, ndërsa Argjentina ka fituar të gjashtë gjysmëfinalet e saj të mëparshme.

Përballja mes Argjentinës dhe Anglisë rikthen edhe rivalitetin historik mes dy vendeve, që mbetet i paharrueshëm pas çerekfinales së Botërorit 1986, kur Diego Maradona shënoi golin e famshëm me dorë dhe më pas realizoi një nga golat më të bukur në historinë e futbollit.

Selektori i Argjentinës, Lionel Scaloni, u përpoq të ulë tensionet para sfidës, duke theksuar se bëhet fjalë vetëm për futboll.

“Nuk është asgjë më shumë se një ndeshje futbolli. Do të përballemi me një kundërshtar shumë të fortë dhe kjo është e vetmja gjë që ka rëndësi”, u shpreh ai.

Në gjysmëfinalen tjetër, vëmendja do të jetë te dueli mes dy prej yjeve më të mëdhenj të futbollit botëror, Lamine Yamal dhe Kylian Mbappe.

Yamal, i cili sapo ka mbushur 19 vjeç, nuk ka arritur ende të shkëlqejë plotësisht në këtë Botëror, duke realizuar vetëm një gol në gjashtë ndeshje. Kapiteni i Spanjës, Rodri, beson se talenti i Barcelonës duhet të luajë me më pak presion.

Ndërkohë, Mbappe vazhdon të jetë lideri i Francës me tetë gola të shënuar, duke ndarë kryesimin e garës për “Këpucën e Artë” me Lionel Messin.

Fituesit e dy gjysmëfinaleve do të përballen në finalen e madhe të Kupës së Botës më 19 korrik në stadiumin “MetLife” në Neë Jersey, ku do të vendoset kampioni i ri i botës.

Share This