Fulhami ndal Liverpoolin në një përballje dramatike

Fulhami ndal Liverpoolin në një përballje dramatike

Fulhami ka arritur një barazim spektakolar 2-2 ndaj Liverpoolit në “Craven Cottage”, falë një goli të jashtëzakonshëm të Harrison Reed në minutën e 97-të, duke i rezistuar rikthimit dramatik të “The Reds”.

Ky rezultat e zgjat serinë e pamposhtur të Fulhamit në Premier League në pesë ndeshje radhazi.

Liverpooli e nisi takimin më mirë dhe krijoi rastin e parë serioz, por Cody Gakpo gaboi duke e dërguar topin jashtë portës së Bernd Lenos. Menjëherë pas kësaj, Fulhami ndëshkoi: një pasim i zgjuar i Jorge Cuencas u devijua me mjeshtëri nga Raul Jimenez, duke i hapur rrugë Harry Wilsonit, i cili shënoi me një goditje të ulët në cepin e largët.

Edhe pse fillimisht u sinjalizua pozicion jashtë loje, VAR-i konfirmoi golin, i gjashti për Wilsonin këtë sezon në kampionat.

Goli i befasoi mysafirët, të cilët reaguan dobët në pjesën e parë, duke regjistruar vetëm një goditje në portë përmes Curtis Jones.

Në pjesën e dytë, Liverpooli u bë më kërcënues. Alexis Mac Allister goditi shtyllën me kokë, ndërsa pak minuta më vonë Florian Wirtz barazoi rezultatin me një goditje të bukur me të majtën, pas asistimit të Conor Bradley. Edhe ky gol u konfirmua nga VAR-i pas një sinjalizimi fillestar për pozicion jashtë loje.

Fulhami u përpoq të rikthente epërsinë, duke krijuar disa raste të rrezikshme. Rasti më i mirë erdhi kur Alisson doli keq nga porta, por Wilson e dërgoi topin mbi traversë në portën e zbrazët.

Megjithatë, kur dukej se Liverpooli do ta fitonte ndeshjen kur Cody Gakpo realizoi golin e dytë pas një krosimi të Jeremie Frimpong. Por drama nuk kishte përfunduar. Në minutat shtesë, Harrison Reed, i futur pak çaste më parë në lojë, mori topin në hyrje të zonës dhe lëshoi një goditje fantastike që përfundoi në rrjetë pas prekjes së traversës, duke i dhënë Fulhamit një pikë të artë.

Ky barazim ruan serinë më të gjatë pa humbje të Fulhamit në Premier League brenda një viti kalendarik, ndërsa Liverpooli regjistron barazimin e katërt në shtatë ndeshjet e fundit të kampionatit.

Share This