
FSK-ja renditet e dyta në garën “Ushtari më i mirë” në SHBA
Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë arritur një rezultat të rëndësishëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u renditur në vendin e dytë në garën “Ushtari më i mirë”, e zhvilluar në shtetin e Ajovës.
Pas këtij suksesi, pjesëtarët që përfaqësuan Kosovën u pritën në takim nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, i cili i dekoroi me medalje në shenjë vlerësimi për performancën dhe rezultatet e tyre.
Sipas njoftimit të FSK-së, gjatë garës pjesëtarët kosovarë dëshmuan nivel të lartë të përgatitjes profesionale, fizike dhe ushtarake, duke konkurruar me përkushtim dhe profesionalizëm.
Komanda e FSK-së e ka vlerësuar këtë rezultat si dëshmi të përgatitjes së vazhdueshme të pjesëtarëve dhe të përmbushjes së standardeve të larta profesionale.
“Ky sukses përbën një vlerë të shtuar për FSK-në dhe dëshmi të përgatitjes së vazhdueshme të pjesëtarëve të saj sipas standardeve më të larta ushtarake”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Renditja në vendin e dytë në një garë të zhvilluar në SHBA përbën një tjetër rezultat të rëndësishëm për pjesëtarët e FSK-së në përfaqësimet ndërkombëtare.

