Shqiprim Arifi: S’ka votë për VV’në – Kosova ka nevojë të dalë nga bllokada

Shqiprim Arifi: S’ka votë për VV’në – Kosova ka nevojë të dalë nga bllokada

Ish-kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka reaguar ashpër ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke bërë thirrje që kjo parti të mos votohet në zgjedhjet e ardhshme.

Përmes një postimi, Arifi u shpreh se VV-ja është përkrahur më shumë sesa ka merituar ndër vite dhe se, sipas tij, është koha që të kalojë në opozitë për të reflektuar.

“S’ka votë për VV-në! E keni mbivlerësuar dhe ndër vite e keni përkrahur më shumë sesa duhet. Kësaj radhe lëreni në opozitë, ndoshta reflektojnë pak”, deklaroi Arifi.

Ai shtoi se Kosova nuk mund të vazhdojë pafundësisht, siç e përshkroi ai, në “të njëjtën bllokadë”, duke theksuar se kokëfortësia politike nuk sjell zgjidhje.

“Kosova nuk mund të ngecë pafundësisht në të njëjtën bllokadë. Është koha të shihet situata drejt, pa inate. Kokëfortësia nuk i zgjidh problemet, murit nuk i bihet me kokë, sepse vetëm dëmtohesh vet,” shkroi ai.

Në fund, Arifi u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë “për të mirën e Kosovës”, duke përjashtuar si opsion mbështetjen për Vetëvendosjen.

“Votoni për të mirën e Kosovës, e assesi VV-në, që vendi të dalë nga kriza”, përfundoi ai.

Share This