
Fitorja e dytë e Bashkimit në FIBA Europe Cup, Trepça mundët në Gjermani
Bashkimi ka shënuar fitoren e dytë radhazi në grupet e FIBA Europe Cup.
Në një atmosferë të jashtëzakonshme në “Sezai Surroi” dhe në një sfidë shumë interesante dhe dramatike, Portokallezinjtë fituan 77:76 ndaj skuadrës italiane Pallacanestro Reggiana.
Takimi ishte me shumë kthesa nga fillimi deri në fund, derisa pikët vendimtare i shënoi Jeremiah Bailey për vendasit.
TJ Bickerstaff e mbylli ndeshjen me 18 pikë e 13 kërcime, derisa Kyan Anderson me 17 pikë e gjashtë asistime.
Bashkimi ka dy fitore e tri humbje aq sa edhe Reggiana, ndërsa Dijon dhe Cibona nga tri fitore e dy humbje.
Ndeshjen e fundit në grupe nënkampionët e Kosovës e zhvillojnë ndaj Dijon në Francë.
Trepça luan mirë, por mundet në Gjermani
Kampionia e Kosovës, Trepça u mund në udhëtim shumë të vështirë në Gjermani, ndaj skuadrës Braunschweig.
Në një sfidë aspak të lehtë, mitrovicasit pësuan me dhjetë pikë dallim, 80:70, në grupet e FIBA Europe Cup.
Drilon Hajrizi kishte 15 pikë e 11 kërcime, derisa Dardan Kapiti 13 pikë e tetë kërcime.
Kjo ishte humbja e pestë për mitrovicasit, derisa ndeshjen e fundit në grupe e zhvillon kundër Anwil në udhëtim.
Duhet theksuar se kampionët e Kosovës kishin përkrahje të madhe nga një numër i tifozëve në Gjermani.

